Vendosni fjalën kyçe....

Alvin Berisha më në fund rikthehet në Itali, përqafohet me babanë (VIDEO)


Mëngjesin e kësaj të premte mori fundi makthi për Afrim Berishën, i cili kurrë nuk ka ndaluar të kërkojë fëmijën e tij, që gruaja e tij Valbona ia mori në dhjetor të 2014-ës për t’iu bashkuar ISIS-it. Pas pesë vjetësh, Alvin Berisha më në fund u kthye në shtëpi.

Alvin ka mbërritur pak pas orës 7:00 në aeroportin e Romës, Fiumicino nga Bejruti.

“Corriere Della Sera” shkruan se më pas Alvin u nis për në qytetin e vogël të Brianzës, ku lindi dhe u rrit, ku ende jeton babai i tij dhe dy motrat më të mëdha.

I veshur me xhinse, xhuboks blu dhe kapelën e kuqe, Alvinit i ka dalë para jo vetëm babai por edhe dy motrat 16 dhe 17 vjeçe, të cilat e prisnin për një kohë të gjatë. Më poshtë jepen edhe pamjet e takimit të tyre të përmalluar, pas 5 vitesh larg.

Alvin u largua nga Italia në dhjetor të vitit 2014, pasi nëna e tij donte që t’i bashkohej ISIS-it në Siri. Pasi nëna e tij humbi jetën në një shpërthim, Alvin mbeti i vetëm në kampin e refugjatëve të Al Hol në verilindje të Sirisë, ku është zbuluar fillimisht nga emisioni italian “Le Iene”. Apeli i dëshpëruar i babait, i nisur nga programi “Le Iene” nuk ra në vesh të shurdhër. U deshën javë për të planifikuar dhe më pas përfunduar operacionin, i cili ishte veçanërisht i vështirë dhe i ndërlikuar.

Një mision i jashtëzakonshëm bashkëpunimi ndërkombëtar e ktheu atë te familja e tij. Operacioni, i cili u iniciua nga një grupim special operacional i karabinierëve ROS në Milano, me bashkëpunimin e konsullatës shqiptare, Kryqit të Kuq Italian dhe operatorëve të Gjysmëhënës së Kuqe, bënë të mundur mbërritjen e Alvinit në Itali përmes një korridori të veçantë humanitar.

“Personat që të shoqërojnë janë miqtë e babit. Nuk duhet të kesh frikë”, këto janë fjalët që i ati i përshpëriti në telefon ditën e enjte në mëngjes Alvinit, i cili ishte i trembur.

Afrim Berisha 25 shtatorin e kaluar kishte arritur të shkonte vetë në kampin e Al Hol dhe të takonte djalin e tij me ndihmën e gazetarëve të emisionit “Ie Iene”, por ai nuk mundi dot asokohe ta merrte me vete.

Në kampin e “Al Hol” ka 70 mijë gra dhe fëmijë të luftëtarëve të Isis. Por kjo është hera e parë që një fëmijë është larguar nga ky kamp për të arritur në një vend evropian. Alvin ka lëndime në njërën këmbë dhe në vesh dhe do t’i duhet të mjekohet, por e rëndësishme është se ai është gjallë dhe pranë familjes./Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *