Vendosni fjalën kyçe....

Nga punonjës bingoje në zyrtar policie, shkarkohet shefi i Sektorit të Ankesave në SHÇBA


Oltjon Shehu, nëndrejtor i përgjithshem i SHÇBA-ve, i pari i listës së zyrtarëve të policisë që i nënshtrohet procesit të Vettingut shkarkohet nga detyra.

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka njoftuar sot përjashtimin nga detyra të Shehut, pas verifikimit të bërë lidhur me figurën e tij.

Procesi i rivlerësimit kalimtar të punonjësve të policisë, nisi të martën në Tiranë ku Oltjon Shehu, ish-drejtor dhe aktualisht shef zyre, dha llogari për pasurinë.

Shehu nuk mundi dot të justifikonte me burime të ligjshme pasurinë e tij e përbërë nga një shtëpi dy-katëshe dhe një makinë, ndërsa u justifikua para trupës gjykuese me punën në sektorin informal të ekonomisë në profesione të ndryshme si punonjës bingoje, kamarier dhe menaxher hoteli.

Trupa e vlerësimit e KJV-së përbëhej nga Ela Kerka kryesuese, Marjeta Gjela relatore dhe Ana Kapaj, anëtare.

Gjela shpjegoi se Oltjon Shehu e kishte nisur karrierën e tij në Policinë e Shtetit vitin 2014 si drejtor i Zyrës së Inspektimit të Ankesave të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, ShÇBA. Ajo tha se në fillim të këtij viti, Shehu kishte kërkuar dorëheqjen dhe kishte punuar për pak kohë si specialist e më pas ishte emëruar si shef i Zyrës së Ankesave në ShÇBA. Gjela pohoi se vlerësimi i Shehut është kryer në të tri kriteret, për pasurinë, vlerësimin e figurës dhe profesionalizimin.

Shehu zotëron një banesë dy-katëshe në Tiranë me sipërfaqe 161.6 m2. Si burim krijimi të kësaj pasurie ai ka deklaruar dy kredi në vlerën 500 mijë lekë dhe një tjetër 1 milionë lekë, si edhe kursime në vlerën 2.5 milionë lekë. Ndërtimi i kësaj banese ka nisur në vitin 2003 dhe është përfunduar në vitin 2008.

Mirëpo sipas komisionit, Shehu nuk ka pasur mundësi për të krijuar kursime të mjaftueshme për të nisur ndërtimin e banesës.

Sipas relatores, të ardhurat e bashkëshortes së subjektit për periudhën 2000-2003 kanë qenë rreth 280 mijë lekë. Ndërsa të Shehut kanë qenë 104 mijë lekë.

“Subjekti sqaroi se nuk ka dokumente ligjore për të vërtetuar të ardhurat dhe kursimet deri në vitin 2003, por ka thënë se ka punuar në informalitet tek bingo Ylli në Tiranë në vitet 1996-1997 duke pretenduar se ka siguruar rreth 2.5 milionë lekë nga të cilat ka kursyer 1 milionë”, pohoi relatorja Gjela.

Ajo tha se Shehu ka deklaruar para Komisionit se ka punuar në vitet e mëvonshme edhe si kamarier në një lokal e menaxher në një hotel ku ka siguruar përkatësisht 1 milionë dhe 1.3 milionë lekë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *