Vendosni fjalën kyçe....

Përplasja e dhunshme te Unaza e Re – Arrestohet një nga banorët, 7 të tjerë në kërkim


Një person është arrestuar dhe 7 të tjerë janë në kërkim në lidhje me përleshjen e djeshme mes banorëve të zonës së Unazës së Re, punonjësve të IKMT-së dhe forcave të policisë. Sipas policisë, katër punonjës të IKMT-së dhe një polic mbetën të lënduar për shkak të sulmeve të banorëve me gurë e sende të forta.

Personi i arrestuar për ngjarjen është 50-vjeçari, Shpëtim Selimi, i cili dyshohet se është një ndër personat që ka qëlluar disa prej punonjësve të IKMT-së. Një person i nëntë është proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Detajet e Policisë:

Më datë 07.11.2019, në rrugën “Teodor Keko”, Tiranë, rreth orës 10:45, një grup personash, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur me gurë e sende të forta punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e Policisë, të cilët ishin duke bërë njoftimin e bizneseve që preken nga projekti i rrugës.

Si pasojë e sulmit me gurë dhe sende të forta mbetën të plagosur 4 punonjës të IKMT-së dhe 1 punonjës i Policisë. Gjithashtu, gjatë sulmit me gurë e sende të forta ndaj punonjësve të IKMT-së dhe punonjësve të Policisë, është dëmtuar edhe një automjet i Policisë.

Në lidhje me ngjarjen, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në përfundim të veprimeve të para hetimore, bazuar edhe në pamjet filmike, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh.S., 50 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim dhe vijon puna për kapjen e 7 shtetasve: J.M., S.H., F.D., V.D., L.K., Sh.N. dhe G.S., të cilët pas sulmit mbi punonjësit e IKMT-së dhe të Policisë janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi E.D., 35 vjeç, banues në Tiranë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”, në ngarkim të shtetasve Sh.S., J.M., S.H., F.D., V.D., L.K. dhe Sh.N., si dhe në ngarkim të shtetasit G.S., për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *