Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i Kryqit të Kuq italian: Alvin habitej kur shkuam në Damask, ishte mësuar i mbyllur në kamp


Operacioni për shpëtimin e Alvinit  u krye nga Gjysmë Hëna e Kuqe siriane dhe Kryqi i Kuq ndërkombëtar, autoritet italiane dhe ato shqiptare. Në një konferencë të përbashkët për mediet, përfaqësuesit e këtyre kanë dhënë detaje për operacionin e parë të shpëtimit të një fëmije nga një kamp sirian.

Francesco Rocca, President i Kryqit të Kuq Italian theksoi se në shpëtimin e Alvinit ka luajtur një rol thelbësor, Gjysmë Hëna Siriane dhe vullnetarët kurdë, që e nxorën fëmijën nga kampi. Ai shtoi se kur kishin mbërritur në Damask, i kishte bërë përshtypje habia e Alvinit për gjërat që shikonte përreth, pasi ishte mësuar të qëndronte vetëm brenda kampit.

“Është krijuar rrjeti i domosdoshëm që gjithcka të shkonte mirë dhe arritëm këtë rezultat të jashtëzakonshëm.

Kryqi i Kuq dhe Gjysmë Hëna u koordinuan në terren. Dua të them dicka, unë e dija kapacitetin e Gjysmë Hënës. Ne bëmë edhe konfirmimin që fëmija mund të ishte në kamp. Kur e mësuam zyrtarisht praninë e tij në kamp e nisëm operacionin. Pjesa më e vështirë ka qenë që nuk duhet të merrej nga drejtuesi vesh se fëmija po e linte kampin, pasi ka ende prezencë radikale.

Edhe transferimi nga ‘Al Hol’ në aeroport ka qenë shumë i vështirë, pasi ndërlidhësit tanë ishin të frikësuar, edhe garancia që kishte për kalimin nga një zonë në tjetrën. Në Damask e kam pritur unë. Kishim një presion dhe tension të madh që ta nxirrnim shëndoshë e mirë djalin, por kurdët kanë prioritet tjetër tani, ata menaxhojnë një kamp me 70 mijë persona. Falë vullnetarëve kurdë u bë e mundur që Alvini të shpëtojë.

Më bëri më shumë përshtypje, kur Alvini mbeti i habitur kur hymë në Damask, shikonte gjithmonë rreth e rrotull, pasi ishte mësuar në kamp. Ai reagonte në gjithcka që ishte e re për atë. Ka edhe tre fëmijë të tjerë jetim që ndodhen në kamp në moshën e Alvinit. Tani edhe fëmijë të tjerë mund të largohen nga kampi. U nisëm në një moment kur të gjitha rrugët në Bejrut ishin të bllokuara” tha ai.

Ndërsa ministri i Brendshëm shqiptar, Sandër Lleshaj, tha se rasti i 11-vjeçarit është një mesazh që terrorizmi dhe dhuna nuk duhet të ketë hapësirë në shoqërinë tonë. Ai shtoi se rasti po përdoret politikisht për të dhënë mesazhe të rëndësishme.

“Ka pasur një dimension të rëndësishëm diplomatik dhe një aspekt të rëndësishëm policor nga dy vendet. Unë nuk dua të hyj në detajet e operacionit, dua vetëm dhe për këtë kam ardhur sot në Romë, për të shprehur falenderimit e qeverisë shqiptare së pari për autoritetet policore të dy vende, Presidentin e Kryqit të Kuq Italian dhe ndërkombëtar dhe të Gjysmë Hënës së Kuqe.

Dua të them se edhe autoritetet libaneze mbështetën operacionin në terren. Po e përdorim politikisht për të dhënë disa mesazhe të rëndësishme. Alvin Berisha është një rast i trishtuar që duhet të na tregojë të gjithëve, që dhuna dhe terrorizmi mos gjejë asnjë hapësirë në shoqërinë tonë dhe këto raste të mos përsëriten më. Faleminderit që mundësuat që një djalë shqiptar të rikthehet në liri”, tha Lleshaj.

Përfaqësuesi i Gjysmë Hënës Siriane tha se organizata ku bën pjesë është gati edhe për operacione të tjera shpëtimit të fëmijëve që ndodhen në kamp.

“Kontakti i parë ishte me përfaqësuesin e Kryqit të Kuq Italian. Shteti dhe populli sirian u treguan të gatshëm, por nuk ka qenë e thjeshtë. Nëse nuk do të kishim informacione të detajuara nga Shqipëria dhe Italia nuk do të ishim këtu, ky është simbol i bashkëpunimit humanitar mes Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës Siriane, jemi gati të ndihmojmë edhe në të ardhmen nën kërkesën e Presidentit të Kryqit të Kuq Italian”, tha ai.

Ndërsa Alberto Nobili, pjesë e sektorit anti-terrorist Milano që mori pjesë në operacionin e shpëtimit u shpreh se gjëja më e bukur e operacionit ka qenë bashkëpunimi mes palëve që solli suksesin. Ai e konsideroi një histori të bukur kthimin e alvinit në shtëpi:

“Një fëmijë që në vitin 2014 është marrë nga e ëma dhe u dërgua në Siri. Një fëmijë që u rrëmbye, që ndodhej jashtë vendit dhe e rëndësishme është që e sollëm në shtëpi. Nuk ka rëndësi kush ka kontribuar dicka më shumë dhe dicka më pak, e rëndësishme është që e sollëm në shtëpi. Rasti i parë që një fëmijë jetim shpëtohet në këtë mënyrë në një operacion ndërkombëtar. Në kamp ka edhe shumë fëmijë të tjera. Alvini është shqiptar por jeton në Itali.

Nuk dua të flas për medalje, por mesazhi është i fortë, historia është e bukur, Alvini kthehet në shtëpi.  Pjesa e bukur ka qenë bashkëpunimi për rastin e Alvinit. Hapëm këtë rrugë, ka shumë rëndësi edhe për fëmijët e tjerë që mund të largohen nga kampet. Këta janë rrëmbyer dhe nëse qëndrojnë atje fatkeqësisht mund të bëhen edhe terroristë. Vdekja e nënës për Alvinin patjetër që ka sjellë vuajtje. Alvini në moshën 6-vjeçare nuk mund të zgjidhte, kjo është një ditë kur mund të lirohesh, ai donte të kthehej në shkollë, të largohej nga Siria”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *