Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në 30 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit ka reaguar duke kujtuar këtë ditë si simbol të rënies së komunizmit dhe shprese në të njëjtën kohë.
Basha shkruan se 30 vite më parë nga kjo ditë u ngjiz edhe në Shqipëri reagimi i parë kundër diktaturës.
Por “në 30-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, fatkeqësisht shqiptarët po kuptojnë e po provojnë përditë se muret nuk janë vetëm fizike. Muret e reja të izolimit janë edhe më të vështirat për t’u shembur. Shqiptarëve dhe Shqipërisë rrezikojnë tu ngrihen mure prej keqqeverisjes, e cila ka rrënuar themelin e demokracisë, zgjedhjet e lira, ka zëvendësuar Sundimin e Ligjit me sundimin e njëshit, ka shënuar rekorde të turpshme me vjedhjen, korrupsionin dhe krizën ekonomike dhe që për eksport të vetëm me botën perëndimore, ka krimin dhe emigracionin”-shkruan Basha.
Postimi i plotë:
30 vjet më parë, shqiptarët kthyen sytë me shpresë nga Gjermania, atje ku në pjesën e saj lindore po ndodhte realizimi i një ëndrre, shembja e murit që ndante Berlinin, rënia e diktaturës. Komunizmi po shpallte edhe formalisht falimentimin dhe po i dorëzohej revoltës së gjermanëve, të cilët kërkonin liri, demokraci dhe bashkim. Ngjarjet e Gjermanisë nuk ishin vetëm histori për shqiptarët. Ata gjetën tek rënia e Murit të Berlinit aleatin e tyre më të madh, shpresën se ndryshimi po vinte, edhe më shpejt sesa shpresonin më optimistët.
Brenda 12 muajve, kombi gjerman rrëzoi Murin e Berlinit, simbol të diktaturës e të ndarjes që gjatë 28 viteve të ekzistencës së vet përçudnuese, ishte shndërruar në varrin e mbi 200 disidentëve, të vrarë në përpjeke për të ikur nga ferri lindor e për të kaluar në anën e demokracisë.
Në të njëjtin hark kohor, inteligjencia në Shqipëri ngriti zërin e saj, qytetarët sulmuan klonet që rrethonin shtetin në të gjithë hapësirën e tij dhe shoqëria jonë pagoi një tribut të rëndë, me vrasjet në kufi të dhjetëra të rinjve, nga Shkodra në Sarandë.
Nën shembullin e përpjekjes gjermane dhe me shembjen e Murit të Berlinit si metafora e shpresës, pas 5 dekadash diktature, shqiptarët i dhanë jetë Lëvizjes “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, një revolucion paqësor që shembi regjimin më gjakatar të përtej Perdes së Hekurt.
Bashkë me këtë Lëvizje lindi Partia Demokratike, e para në këtë pjesë të ish-botës komuniste që aplikoi për anëtarësimin e vendit në aleancën e kombeve të lira, në NATO. Ajo i mishëroi idealet mbi të cilat u ngjiz edhe lëvizja që shembi Murin e Berlinit, me nisma që e drejtuan Shqipërinë drejt hapësirës euroatlantike dhe mbështetën ngritjen e ekonomisë së lirë të tregut.
Në 30-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, fatkeqësisht shqiptarët po kuptojnë e po provojnë përditë se muret nuk janë vetëm fizike. Muret e reja të izolimit janë edhe më të vështirat për t’u shembur. Shqiptarëve dhe Shqipërisë rrezikojnë tu ngrihen mure prej keqqeverisjes, e cila ka rrënuar themelin e demokracisë, zgjedhjet e lira, ka zëvendësuar Sundimin e Ligjit me sundimin e njëshit, ka shënuar rekorde të turpshme me vjedhjen, korrupsionin dhe krizën ekonomike dhe që për eksport të vetëm me botën perëndimore, ka krimin dhe emigracionin.
Kjo klikë që u ka mohuar shqiptarëve edhe të drejtën e votës, po e largon vendin nga gjiri i familjes perëndimore dhe drejt hapësirave të tjera, ku vota nuk njihet e ku klikat kthehen në autokraci të korruptuara. Në 30-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, regjimi kleptokrat shkumëzon kundër Perëndimit dhe sheh ëndrra me aleanca autokratike orientale.
Por shqiptarët nuk e kanë ndjekur e nuk e ndjekin pas këtë amok oriental. Idealet që shembën Murin e turpit në Berlin janë idealet e demokracisë perëndimore dhe të votës së lirë. Edhe sot, rinia dhe inteligjencia shqiptare janë bashkë me lidershipin europian, i cili në 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, e ka 9 nëntorin një ditë refleksioni, një ditë përbashkimi kundër autokracisë, kleptokracisë, populizmit e racizmit.
Këto ideale i ndan edhe shoqëria shqiptare, prandaj 9 nëntori i shqiptarëve është dita e rinovimit të zotimit kombëtar “E Duam Shqipërinë si e gjithë Europa”. Është dita e evokimit të ëndrrës, shpresës dhe qëllimit për një Shqipëri ku çdo shqiptar të zgjedhë të jetojë me liri, mundësi, dinjitet dhe mirëqenie të garantuar.