Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka analizuar Shqipërin 30 vjet pas rënies së murit të Berlinit.
Në një status të gjatë në Facebook, Kryemadhi, thekson se 30 vjet më parë, flladi i lirisë dhe shpresës përshkoi vendet që më parë ishin nën pushtetin e diktaturave komuniste.
Vendet që vuajtën jo pak nga diktaturat ishin të etura për të bërë zgjedhje të lira e ku fati i qeverisjes të ishte pronë e qytetarëve dhe jo anasjelltas.
Më tej në statusin e saj, Kryemadhi, thekson se popujt e etur për demokraci kërkonin drejtësi të barabartë për të gjithë dhe jo një sistem drejtësie që godet kundërshtarët politikë me anë makinacionesh e falsifikimesh.
Kryemadhi i kthehet situatës në Shqipëri duke theksuar se zgjedhjet e vitit 2017 ishin një rrënim për demokracinë në vend.
‘Zgjedhjet e përgjithshme të qershorit të vitit 2017, ishin një rrënim për demokracinë. Ato u kthyen në shfaqjen më të turpshme të pushtetit. Dhuna shetërore, policia e angazhuar krah pushtetit, kërcënimet, frikësimet dhe intimidimet e zgjedhësve, iu shtua edhe bashkëpunimi i grupeve të krimit të organizuar dhe angazhimi total i oligarkëve në deformimin e vullnetit të qytetarëve. Ndërsa zgjedhjet lokale të vitit 2019 patën një “hop” cilësor. Ato u zhvilluan pa opozitën. Të tilla zgjedhje me opozitë të emëruar, as Ramiz Alia nuk i zhvilloi, në shkurt të 1991. Përkundrazi i shtyu, me gati dy muaj, për të mundësuar pjesmarrjen e opozitës reale Sot zgjedhjet në Shqipëri janë në kushte edhe më të vështira për opozitën, se në 1991!’ – thotë Kryemadhi.
Më tej në statusin e saj, kryetarja e LSI-së, thotë se Shqipëria ka nevojë për një drejtësi të pakapur por në vend po ndodh ndryshe duke theksuar standartet e dyfishta në vetting dhe tek kapja e prokurorisë dhe gjithë sistemit.
‘Ne kemi nevojë për një sistem drejtësie të pakapur. Anëtarët e saj duhet të jenë kredibël. Dy standardet e përdorura nga organet e vetingut janë të dukshme. Ne kemi nevojë për besim te sistemi, i cili duhet të ngrihet mbi barazinë dhe jo mbi pabarazinë e gjykimit. Prokuroria nuk duhet të jetë një lodër në duart e pushtetit dhe të politikës. Që arreston dhe hap çështje penale për qytetarët, që protestojnë për të drejtat e tyre, si në rastin e Unazës së Re, ndërsa qeveritarët e korruptuar, shijojnë purot dhe verat e shtrenjta nën shoqërinë e oligarkëve.’ – shkruan më tej Kryemadhi.
Ajo cek edhe çështjen e koncesioneve e PPP-ve të qeverisë Rama të cilat, shkruan janë mjet për grabitjen e shqiptarëve, shkatërrimin e ekonomisë dhe varfërimin e vendit.
‘Tregu i lirë dhe gara e barabartë e biznesve është kthyer në një përrallë, këto vitet e “shkëlqimit” të PPP-ve pa garë dhe super korruptive, të rrugëve, të shëndetësisë apo të incineratorëve. Mbi 1 miliard euro nga taksapaguesit shqiptarë shkojnë në një dorë oligarkësh të lidhur ngushtë me pushtetin.Mbi 60% e tenderave zhvillohet pa garues, pa konkurrencë. Ato i rrëmbejnë firmat e oborrit kryeministror apo të kryetarit të bashkisë së Tiranës. Si në rastin skandaloz të firmës Fusha me ligjin antikushtetues të “Teatrit”. Një njollë e madhe turpi, mbi fytyrën e Ramës dhe Veliajt.’ – shkruan kryetarja e LSI-së.
Në fund të statusit të saj, Kryemadhi, thekson mbytjen e fjalës së lirë dhe thekson misionin e opozitës së bashkuar për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në vend.
‘Fjala e lirë dhe media e pavarur janë më të rrezikuara se asnjëherë më pare, në këto tridhjetë vite tranzicion. Televizionet kombëtare janë kthyer në shërbëtorë të paturpë të pushtetit. Mediat e tjera vizive janë nën kërcënimin e vazhdueshëm si “miqësor” të anturazhit të Ramës, ashtu dhe tatimeve apo inspektoriateve të tjera të qeverisë. Lufta më e egër, që sot zhvillojnë rilindasit është ajo ndaj mediave të pakapura dhe të pavaruara. Demokracia false është më e rrezikshme se diktatura. Sot Shqipëria i “përmbush” të gjitha kriteret për të qenë e tillë. Ndaj si opozitë e bashkuar, por edhe si qytetarë të këtij vendi, na lind si detyrë parësore garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Vetëm përmes tyre, ne do të garantojmë ndryshimin e këtij sistemi të demokracisë false. Vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të garantojmë një shtet ku qytetari është i pari. Vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do garantohet liria ekonomike dhe barazia e tregut. Vetëm përmes fuqisë së votës së lirë do të garantojmë edhe lirinë e mediave dhe garantimin e fjalës së lirë. Vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të barabarta do i bëjmë të gjithë qytetarët shqiptarë, ta ndjejnë veten në Zot në shtëpinë e tyre, në Shqipëri.’ – mbyll ajo.