Ndeshja e 17 nëntorit mes Shqipërisë dhe Francës do të inagurojë stadiumin e ri kombëtar “Air Albania Stadium”.
Ky do të jetë emri që do të mbajë impianti më i madh dhe më modern sportiv i ndërtuar në vendin tonë. Kompania ajrore shqiptare është përzgjedhur si fituesja e tenderit për të blerë emrin e stadiumit kombëtarë për 5 vitet e ardhshme për një shifër prej 650.000 euro në vit, raporton Top Channel.
Kjo ishte oferta më e madhe financiare që i është ofruar shoqatës “Qendra Sportive Kuqezi” e cila administron stadiumin e ri kombëtar, ndërkohë që në garë ishin edhe kompani hidrokarburesh BolvOil, kompania telefonike Vodafon apo kompania e sigurimeve Sigal.
Gjithçka mes kompanisë Air Albania dhe shoqërisë aksionere “Qëndra Kuqezi ” do të firmoset ditën e hënë për t’i dhënë edhe udhë zyrtare këtij bashkëpunimi.
Një emër komercial për një stadium ndodh për herë të parë në vendin tonë dhe ka qenë shpesh herë edhe temë debati dhe diskutimi, megjithatë kjo është një nga mënyrat më të mira të administrimit të impianteve të tilla sportive të cilat kanë një kosto të lartë mirëmbajtjeje vjetore.