Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në aksin e vjetër në Berzhitë të Tiranës, ku kanë humbur jetën dy vajza adoleshente.
Mësohet se një automjet, që drejtohej nga një 18-vjeçar me inicialet F. SH., ka dalë nga rruga dhe është pëtplasur me një pemë. Dy vajzat adoleshente, njëra 17 vjeçe e quajtur Denada Tarja dhe tjetra gjithashtu 17 vjeçe, Suada Serani ishin pasagjere në mjet.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, së bashku me dy pasagjerë të tjerë me inicialet O. M., 14 vjeç dhe L. M., 14 vjeç janë dërguar në spital. Paraprakisht dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e lagështirës.
“Në aksin e vjetër rrugor, në Bërzhitë, automjeti me drejtues shtetasin F. SH.,18 vjeç, si pasojë e lagështirës ka dalë nga rruga.
Për pasojë kanë ndërruar jetë dy nga pasagjeret në automjet, D. T, 17 vjeçe dhe S. S, 17 vjeçe.
Drejtuesi i automjetit F. SH së bashku me dy pasagjerët e tjerë O. M, 14 vjeç dhe L. M, 14 vjeç ndodhen në SQU nën kujdesin mjeksor.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Grupi hetimor ndërkohë ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.