Vendosni fjalën kyçe....

Trump do takojë Stoltenberg, diskutime për shpenzimet ushtarake dhe mbrojtjen kibernetike


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, javën e ardhshme do të presë në një takim, sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se të dy liderët do të takohen më 14 nëntor. Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se në këtë takim do të diskutohet, për shpenzimet ushtarake dhe mbrojtjen kibernetike, përfshirë edhe rrjetin 5G.

Ky takim vjen në kohën kur presidenti amerikan po vazhdon përpjekjet e tij që të shtyjë vendet anëtare të Aleancës të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre.

Anëtarët e Aleancës kanë rënë dakord në 2014-tën që deri në vitin 2024 të shpenzojnë 2% të prodhimit të tyre të brendshëm për mbrojtjen, por vetëm pak prej tyre e kanë arritur objektivin. Shtëpia e Bardhë njoftoi se të dy liderët do të takohen më 14 nëntor për të biseduar për “progresin e aleatëve të NATO-s në rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes që të sigurohet ndarje e barabartë e barrës” së shpenzimeve.Takimi Trump-Stoltenberg vjen para mbajtjes së samitit të NATO-s që thuhet se do të mbahet më 3 dhe 4 dhjetor në Londër.

Gjatë qëndrimit në Uashington, Stoltenberg do të takohet edhe me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe me anëtarë të Kongresit. Ai po ashtu do të marrë pjesë në takimin e koalicionit botëror kundër grupit militant, Shteti Islamik. Më 12 Nëntor sekretari i përgjithshëm i NATO-s do marrë çmimin si “Diplomati i Vitit” nga revista “Foreign Policy”.  Ky takim vjen një javë pasi presidenti i Francës, Emmauel Macron, gjatë një interviste për The Economist, paralajmëroi shtetet evropiane se NATO po vdes për shkak se Uashingtoni është i paparashikueshëm nën drejtimin e Trumpit, por ky qëndrim menjëherë u kundërshtua nga Gjermania, por u lavdërua nga Rusia.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *