Vendosni fjalën kyçe....

Meta-deputetëve: Merrni 5 minuta dhe lexoni nenin 179, mësoni si emërohen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese


Presidenti i vendit Ilir Meta, u ka drejtuar një thirrje deputetëve të Kuvendit, duke iu kërkuar të mos votojnë dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që pritet të hidhen në votim në seancën e sotme parlamentare.

Meta iu kërkon deputetëve që të gjejnë 5 minuta kohë dhe të lexojnë disa nene të Kushtetutës, që sipas tij përcaktojnë radhën e institucioneve që propozojnë anëtarët për këtë gjykatë.

Presidenti thotë se një pjesë e mbledhjeve të pazbardhura të KED-së, do të bëhen shumë shpejt publike.

“Të nderuar deputetë,

Sot është një ditë tepër e rëndësishme për të treguar përgjegjshmëri për të ardhmen europiane të Shqipërisë!

Ju e dini që krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga nëntë kushtet kryesore të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Kushtetuta e ka përcaktuar qartë radhën se si kryhen emërimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese!

Presidenti i Republikës e zgjodhi anëtarin e parë të saj menjëherë !

Tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë!

Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij.

Ndaj ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë!

Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED!!!”, shkruan Meta.

Kjo deklaratë e Metës vjen në ditën kur Kuvendi voton në limitet e afatit të përcaktuar nga Kushtetuta për zgjedhjen e 2 anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese për vakancat e shpallura më 12 shkurt dhe për atë të shpallur më 4 mars të vitit të kaluar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *