Vendosni fjalën kyçe....

Protestuesit fituan, presidenti i Bolivisë jep dorëheqjen


Presidenti i Bolivisë Evo Morales ka dhënë dorëheqjen pasi jo vetëm protestuesit, por tani edhe ushtria ia kërkoi këtë.

“Unë jap dorëheqjen nga pozicioni im si president në mënyrë që Carlos Mesa dhe Luis Fernando Camacho të mos vazhdojnë të përndjekin udhëheqësit socialistë”– tha Morales gjatë një fjalimi televiziv, citon RT.

Morales tha që ai vendosi të tërhiqet me shpresën se largimi i tij do të ndalonte sulmet e dhunshme kundër zyrtarëve dhe indigjenëve, në mënyrë që protestuesit të mos vazhdojnë djegien e shtëpive të zyrtarëve publikë dhe rrëmbimin dhe keqtrajtimin e familjeve të udhëheqësve indigjenë.

“Është detyrimi im, si presidenti i parë indigjen dhe presidenti i të gjithë bolivianëve, të kërkoj këtë qetësim”– tha ai, duke shtuar se shpreson që opozita të kuptojë mesazhin.

Menjëherë pas njoftimit, nënkryetari i tij Alvaro Marcelo García Linera, gjithashtu paraqiti dorëheqjen. Personi tjetër në radhë që mund të merrte përsipër qeverinë, presidentja e Senatit, Adriana Salvatierra, dha gjithashtu dorëheqjen.

Më herët të dielën, Morales shpalli zgjedhje të parakohshme për shkak të presionit në rritje mbi rezultatet e diskutuara të votimit të 20 tetorit.

Vendimi pasoi publikimin e një raporti paraprak nga misioni i Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS) për zgjedhjet, i cili nuk ishte në gjendje ta vërtetonte rezultatin, duke thënë se është statistikisht e pamundur që Morales të kishte siguruar marzhin 10 përqind të kërkuar për të shmangur balotazhin. Ata gjithashtu pretendojnë se gjetën shenja të “manipulimit” dhe parregullsive gjatë zgjedhjeve.

Opozita i kërkoi Morales-it të hiqte dorë pavarësisht premtimit të tij për të mbajtur zgjedhje të reja. Ndërsa ai u rezistoi për pak thirrjeve të opozitës, duke i quajtur “antikushtetuese” dhe “përpjekje për grusht shteti”, ai përfundimisht u dorëzua pasi edhe ushtria i kërkoi të njëjtën gjë.

Videot e realizuara në La Paz, tregojnë turmën që brohoret pas njoftimit të dorëheqjes.


Morales ka sunduar në Bolivi që nga viti 2006 dhe ka fituar një reputacion si mbrojtës i vendosur i socializmit dhe kritik i ashpër i politikës së jashtme amerikane. Gjykata më e lartë e vendit vendosi në vitin 2018 se ai mund të kandidonte edhe për një mandat të katërt.

Pas zgjedhjeve të kontestuara të tetorit, pati protesta e trazira në qytetet e mëdha, përleshje me policinë dhe sulme ndaj politikanëve. Të shtunën, protestuesit dogjën shtëpinë e guvernatorit të qytetit Oruro, Víector Hugo Vásquez. Një tjetër politikane u tërhoq zvarrë dhe iu prenë flokët në mes të qytetit.

Morales tha se dorëheqja e tij nuk nënkuptonte se socializmi është mposhtur. “Nuk është tradhti. Lufta vazhdon. Ne jemi një popull”– tha ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *