Banorët e zonës së Astirit vijojnë revoltën e tyre kundër shembjes së banesave. Ata protestojnë të bashkuar, por nuk mund të bëjnë dot asgjë për banesat e lotit të parë që kanë nisur të shemben.
Një nga banoret thotë se do vijojnë qëndresën, pavarësisht nëse rrezikojnë që policia t’i vrasë ata.
“Jo vetëm gazlotsjellës, por na mbyti. Jo vetëm neve që jemi pak më të rinj, por edhe fëmijët. Kemi parë tmerr me sy brenda te lokali kur janë shtrirë pleqtë dhe fëmijët e vegjël që nuk merrnin dot frymë. Vetëm ne e dimë se si i kemi nxjerrë një pjesë të tyre. Le të mos kujtojmë ata që mbetën jashtë, që i aknë tërhequr zvarrë, atij i dilte gjak nga goja e policia e tërhiqte zvarrë për ta arrestuar. Kjo masakër që po na bëhet ne, unë nuk e di por nuk e di cili shtet mund ta ketë bërë këtë.
Ti lëmë? Ata prapë në këtë lloj mënyre do sillen dhe ne s’do i lëmë. Prapë të njëjtën gjë do të bëjmë. Ata do na vrasin. S’kemi rrugëzgjidhje tjetër ne. Kjo na ka mbetur. Një pjesë e kanë plagosur, njëri është në gjendje shumë të rëndë. Ne i kërkojmë hajde fol me neve se nuk duam gjakderdhje, s’e kërkojmë neve. Edhe gazin atje nuk e hodhëm neve. S’pati reagim nga neve, vetë e provokoi situatën. Vetë u afrua duke hedhur gaz. a jemi njerëz paqësorë, a jemi pjesë e këtij komuniteti? Përderisa jemi pjesë e këtij komuniteti, përderisa paguajmë taksa si gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë kemi edhe ne të drejtë të na jepet një përgjigje. Edhe iu është kërkuar jo vetëm nga banorët, por edhe nga firmat që duan të bëjnë rrugën, që gjeni zgjidhje me banorët. Edhe s’duan të gjejnë zgjidhjen me ne.
Lëre neve që s’po na dëgjon njeri, por e kanë kërkuar firmat e ai ka thënë: Lëre se do bëhet siç dua unë.
Ça kuptimi ka? Hajde o vëlla të marrim plaçkat e të ikim të gjithë se kjo na ka mbetur. Hajde të na mbështesë bota tani, se s’ka mbet asgjë tjetër më. Tani të marrim fëmijët e t’i themi botës hap dyert se erdhëm neve. Gjithë Unaza ka për të ikur dhe do mbesë vetëm një pjesë e vogël që ta shkelë me këmbë ky sa herë të dojë. Shtyp e shtyp e shtyp.”, tha banorja.
Duket se mes banorëve të Astirit ka edhe pakënaqësi ndaj opozitës, pasi në momentin kur ka nisur përplasja asnjë përfaqësues i tyre nuk ka qenë prezent, por kanë mbërritur më vonë. Ish-deputeti Klevis Balliu tha se ata janë nisur menjëherë sapo e kanë marrë vesh por nuk mundën të ishin pranë banorëve për shkka se policia kishte bllokuar rrugën dhe nuk i linte të kalonin.
“Kemi qenë vetëm ne banorët. Le ta marrë vesh gjithë ky popull shqiptar, ishalla e dëgjon se bën një sy qorr e një vesh shurdh, këtu në Unazën e Re nuk ka patur asnjë demokrat, asnjë të LSI-së, asnjë të PS-së. Jemi ne banorët, jemi me mish, me gjak, me shpirt, kërkojmë mbështetje. Asnjë mbështetje nuk kërkojmë nga këta, kërkojmë nga populli shqiptar. Ore nuk jemi partiak, ore nuk kemi lidhje me partinë. Si s’e kuptojnë këta se këtu duan të bëhen kulla. Hajdeni se ua tregojmë ne se kemi njollat e kullave në shtëpitë tona. Ç’është ky trotuar 5 metra, edhe Danimarka që ka kudo korsi biçikletash, i ka 80 centimetra, maksimumi janë një metra. Nuk ka dy metra korsi biçikletash. Duan ta bëjnë, nuk e di, as superstradë nuk bëhet këtu. Katër korsi këtej e katër andej, katër hyrëse e katër dalëse. Unë nuk e di si ka mundësi. Ku janë këto inxinierë e këto arkotektë që nuk dalin të flasin për ne. Kaq të paaftë paska nxjerrë shteti shqiptarë nga bankat e shkollës këta inxhinierë që s’dalin të flasin? Po ne qenkemi në fund fare. Hajde o burra të ikim, hajde shqiptarë të ikim.”, tha banorja.
Forca të shumta policie rrethuan mëngjesin e sotëm zonën e Astirit, ku IKMT nisi aksionin për shembjen e banesave në lotin e parë të projektit për Unazën e Madhe. Banorët nuk lejuan shembjen e banesave dhe për këtë arsye pati një përplasje mes tyre dhe forcave të policisë, ku 12 njerëz deri më tani numërohen të lënduar.