Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka vizituar sot banorët e lënduar të Unazës së Re në spitalin e Traumës. Ai thotë se gjendja e të lënduarve vijon të mbetet e rëndë pasi sipas tij ata janë dhunuar në mënyrë barbare.
Basha i bëri thirrje qytetarëve dhe punonjësve të policisë që të mos bien pre e provokimeve, ndërsa tha që përgjegjësit e kësaj dhune do përgjigjen një ditë përpara ligjit. Kreu i PD-së përsëriti premtimin për të dëmshpërblyer banorët, kur PD-ja të vijë në pushtet.
“Gjendja e të plagosurve vazhdon të mbetet e rëndë. Ata janë dhunuar në mënyrën më barbare. Kam parë të moshuar të gjakosur nga dhuna me shkopinj dhe me grushta. Pashë gra të alivanosura nga përdorimi i gazit kriminal. Një pjesë prej tyre ndodhen të shtruar, një pjesë e tyre nuk janë të shtruar në spital dhe ne po marrim të gjitha masat për t’i dhënë ndihmën e nevojshme. Janë lënduar edhe pesë efektivë të policisë të cilët janë larguar nga spitali pasi kanë marrë ndihmën e parë. Ky bilanci i një goditje të planifikuar nga Edi Rama ndaj qytetarëve që mbronin shtëpitë e tyre, është një skenar i përgatitur me kujdes nga Rama, që të çonte drejt përgjaksjes qytetarët, për të fshehur vjedhjen e madhe që Edi Rama, Erion Veliaj dhe të tjerë kanë firmosur në Unazën e Re.
E rëndësishme është që qytetarët ta kuptojnë se nuk bëhet fjalë për një projekt zhvillimi, ishte një projekt vjedhjeve, i denoncuar nga PD, nga qytetarët, i faktuar më vonë nga media prestigjioze ndërkombëtare.
Ky është një akt kriminal, krim i rëndë kundër jetës së qytetarëve. Paralajmëroj gjithsecilin përgjegjës për këtë, nga Edi Rama, se do të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit. Dita nuk do të vonojë kur ata do të përgjigjen para ligjit për këtë dhunë barbare mbi qytetarët, nënat, baballarët, fëmijët e tyre.
Së dyti, do t’i bëj thirrje qytetarëve dhe çdo punonjësi të ndershëm të policië që mos të bien pre e këtij provokimi. Jeta është e çmuar, do bëjmë gjithçka për të mbrojtur jetën ndaj banorëve tanë.
Së treti kemi një zotim politik me shkrim, e zezë mbi të bardhë, çdo centimetër katror i objekteve të tyre, do të dëmshpërblehen me vlerën e tregut me ardhjen e PD-së në pushtet. Sikundër garantoj se të gjithë ata që janë përfshirë në këtë akt shtazarak, do mbajnë përgjegjësi para ligjit e nuk do gëzojnë asnjë qindarkë, por do të japin përgjegjësi para ligjit. Dita nuk do vonojë.”, tha Basha.
Kreu i PD-së tha se se në spitalin e Traumës aktualisht po trajtohen më shumë se 8 banorë të lënduar, tre prej të cilëve ndodhen akoma në repartin e emergjencës.