Vendosni fjalën kyçe....

Për dy vite kosto e koncesionit të sterilizimit rritet me 65%, vlera e kontratës arrin në 134 milionë euro


Serioziteti i qeverisë, në raportimin e kostove buxhetore, është cenuar rëndë. Fatura që duhet të shlyejë buxheti për koncesionet PPP po rritet nga viti në vit, pavarësisht vlerës fillestare të përcaktuar në kontratë.

Në projektbuxhetin e vitin 2020, në tabelën që sqaron financimet buxhetore për koncesionet, Ministria e Financave raportoi se vlera e kontratës për koncesionin e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale në salla do të arrijë në 16.5 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë që ishte raportuar në buxhetin e vitit 2018.

Vlera e financimit për koncesionin e sterilizimit është rritur me 65 % në harkun e dy viteve. Koncesioni, i cili nisi në vitin 2015 dhe do të përfundojë në vitin 2025, do të financohet me më shumë se 1.6 miliardë lekë në vit, teksa kontrata e hartuar pa studim fizibiliteti shfaqi defekt që në vitet e para të saj.

Kontrata parashikon pagesw për çdo set të përdorur gjatë operacioneve. Që vitin e dytë, koncesioni ka kryer operacione më shumë se parashikimet e qeverisë.

Madje vitin e kaluar, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor që menaxhon pagesat për çdo faturë të koncesionit të sterilizimit, pagoi realisht 2 miliardë lekë, rreth 3 milionë euro më shumë se fondi i parashikuar.

Në pamundësi për të rishikuar kontratën, Qeveria nëpërmjet FSDKSH-së u ka kërkuar spitaleve të reduktojnë numrin e operacioneve, duke vënë kuota mujore për secilin spital. Për spitalin e Durrësit është sugjeruar të ulet numri i operacioneve me rreth 20 % në krahasim me një vit më parë.

Sipas kontratës së nënshkruar ndërmjet kompanisë koncesionare Sani Servis dhe qeverisë shqiptare, sterilizimi i për një operacion të ndërlikuar kushton 37.700 lekë, për ndërhyrje mesatare 22.300 lekë dhe për operacionet periferike kushtojnë 13.900 lekë. Të gjitha këto tarifa buxheti i paguan plus Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Sipas FDSKSH, gjatë vitit 2018 janë kryer rreth 90 mijë ndërhyrje, sipas kompleksiteteve, pa përfshirë paketimet me avull. Burimet nga QSUT pohuan se për këtë shkak është ndaluar kryerja e disa operacioneve të lehta dhe gjithashtu, është kufizuar numri i ndërhyrjeve. Koncesioni i sterilizimit ka zënë 5.1% të shpenzimeve totale në shëndetësi.

Në një raport të posaçëm për ecurinë e të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin 2018, Fondi ka arsyetuar se, programimi i investimeve ndryshoi në fund të vitit të kaluar, nisur nga pamundësia në realizimin e sistemeve informatike të parashikuara. Mosrealizimet u përdorën për të mundësuar në programe të tjera të shpenzimeve, që rezultonin me tejkalime

Vitin e kaluar, faturat e sterilizimit e kanë kaluar planin e financimeve në buxhet me 461 milionë lekë, ose 3.6 milionë euro, duke lajmëruar se deri në fund të periudhës vlera e kontratës do t’i ketë kaluar të 20 miliardë lekët.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *