Ish-deputetet Albana Vokshi dhe Dhurata Çupi kanë vizituar të lënduarit në Spitalin e Traumës pas përplasjeve që ndodhën në Unazën e Re.
Vokshi ka zbuluar gjendjen e disa prej banorëve, mes të cilëve disa kanë pësuar fraktura e disa të moshuarve u janë thyer dhëmbët.
“Ka nga ata të cilëve u ka dalë kavilja. Ka pleq që u janë thyer dhëmbët apo nga ata që kanë dëmtime të tjera. Ka të gjakosur me lëndime të tjera për shkak të dhunës që ka ushtruar policia, ndaj banorëve që në fund të fundit po mbronin shtëpitë e tyre.
Ka disa zonja të cilat kanë djegie për shkak të gazit që është përdorur mbi to. Unë zonjat nuk munda që t’i takoj këtu, pasi askush nuk jep informacion se ku gjendjen, ku janë duke u vizituar, pasi kanë pasur djegie të gradës së lartë siç u informova. Ka dhjetëra të arrestuar, edhe gra edhe vajza të cilat janë dhunuar nga policia, e ashtu janë dërguar në se di në cilin komisariat.
Numri i të lënduarve nuk dihet, nuk tregon askush se sa është numri total. Nga biseda që pata me dy të lënduar, më thanë se ka më shumë se 10-12 banorë që kanë ardhur të marrin mjekimin këtu.”, tha Vokshi.
Ish-deputetja ka sqaruar edhe deklaratën e Oriola Pampurit se një nga protestuesit ka ndërruar jetë. Vokshi tha se kjo kishte ardhur për shkak të situatës së tensionuar dhe informacioni ishte marrë i gabuar.
“Kolegia ime u shpreh që nga informacionet që i janë dhënë nga banorët dhe dëshmitarët, ka foto që zotëria ka qenë i shtrirë në rrugë pasi është dhunuar nga policët. Nuk di tha se kush më ka sjellë. Ai ishte i shtrirë pa ndjenja, as nuk lëvizte, as nuk merrte frymë. Ndaj në momentin e parë informacioni ishte i tillë. Ka ardhur këtu pa ndjenja. Ende është në gjendje jo të mirë shëndetësore pasi kjo shtazëri e Edi Ramës nuk mund të vijojë.”, deklaroi Vokshi.
Sakaq janë zbuluar emrat e disa prej të lënduarve, Mahmut Imallari, Isuf Gjata, Artur Nuja, Gentian Alla, Çerçiz Jaçe, Adelina Shehu, Dhurata Shehu.