Vendosni fjalën kyçe....

Dhuna te Astiri, Avokati i Popullit: Policia s’na la të inspektonim nga afër


Avokati i Popullit ka bërë një raportim lidhur me dhunën e ushtruar ditën e djeshme ndaj banorëve të Astirit nga policia apo anasjelltas.

Përmes një njoftimi, Avokati i Popullit thotë se po bëhet një hetim adminitrativ  për këtë.

“Dhuna gjatë shoqërimeve e referuar nga disa shtetas dhe jo vetëm në këtë rast, vazhdon të mbetet një problematikë shqetësuese, për të cilën Avokati i Popullit po vazhdon hetimin administrativ.

Avokati i Popullit gjithashtu shpreh shqetësimin për pengimin që u bëhet anëtarëve të ekipeve të tij, për të kryer detyrën, si gjatë konstatimit të veprimeve në terren, ashtu edhe më pas, gjatë përpjekjeve për akses në institucione të ndryshme, gjë që është konstatuar edhe ditën e sotme. Në mënyrë të papranueshme, punonjës të stafit të Avokatit të Popullit janë penguar nga ana e autoriteteve të Rendit që të hyjnë në perimetrin e zonës ku po kryheshin veprime. Kjo është një shkelje e qartë dhe e përsëritur e ligjit i cili i garanton Avokatit të Popullit akses të plotë dhe të pakufizuar kudo ku ai e kërkon.”– thuhet në njoftim.

Në këtë raportim thuhet se grupet e punës së Avokatit të Popullit nuk janë lejuar nga policia për të hyrë në zonën ku pritej të kryheshin veprime.

Po ashtu ngrihet shqetësimi mbi përdorimin e vazhdueshëm të gazit lotsjellës si mjet i parë nga ana e forcave të policisë për të sulmuar grupe qytetarësh që protestojnë paqësisht, madje thuhet se mbetet i paqartë protokolli i përdorimit të këtyre lëndëve.

NJOFTIMI I PLOTË

RAPORTIM I AVOKATIT TË POPULLIT RRETH SITUATËS SË KONSTATUAR MË 12.11.2019 NË UNAZËN E RE, NË KOMISARIATET E POLICISË SI DHE NË SPITALIN E TRAUMËS

Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar me vëmendje ngjarjet e zhvilluara gjatë ditës së djeshme në segmentin rrugor: Sheshi “Shqiponja – Ura e Lanës, për prishjen e një numri banesash.

Grupe ekspertësh të institucionit kanë vëzhguar që në mëngjes veprimet e organeve shtetërore fillimisht në terren dhe më pas në komisariatet e policisë së Tiranës ku ishin shoqëruar një numër shtetasish, si dhe në Spitalin e Traumës në Tiranë ku ishin hospitalizuar personat e lënduar gjatë konfrontimeve me policinë.

Që në orët e para të datës 12.11.2019, në segmentin rrugor Sheshi “Shqiponja” – Ura e Lanës, ishin stacionuar forca të Policisë së Shtetit, të cilat nuk lejonin lëvizjen e mjeteve, apo njerëzve në këtë segment.

Grupet e punës së Avokatit të Popullit nuk janë lejuar për të hyrë në zonën ku pritej të kryheshin veprime, por nga distanca ekspertët e institucionit tonë konstatuan se mjete të rënda po prishnin objekte në të dy anët e rrugës. Nga konstatimi i mëpasëm, si dhe nga deklarimet e poseduesve të këtyre objekteve, rezultoi se orenditë dhe sendet e jetës së përditshme, nuk ishin arritur të largoheshin.

Nga ana e banorëve në terren të cilët morën kontakt me ekspertët e Avokatit të Popullit, u deklarua se në orët e para të mëngjesit të datës 12.11.2019, ndaj tyre ishte përdorur dhunë e pajustifikueshme nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit për largimin nga zona ku do të kryheshin veprime për prishjen e objekteve. Banorët vunë në dispozicion të ekspertëve tanë edhe materiale me pamje video, në të cilat pretendohej për përdorim të dhunës nga ana e forcave të Policisë së Shtetit mbi shtetas të ndryshëm, burra apo gra pa dallim.

Në proces-verbalet e mbajtura nga ana e grupit të punës së Avokatit të Popullit, me disa banorë, u dëshmua ngjarja e ndodhur në orën 5 të mëngjesit e vijim, në raport me forcat e Policisë së Shtetit.

Ndërkaq, një tjetër grup ekspertësh i Avokatit të Popullit ka vizituar Spitalin e Traumës, reparti i Urgjencës, ku është marrë informacion lidhur me numrin e personave të hospitalizuar, si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë operacionit për prishjen e banesave në zonën e ‘Astrit’ në mëngjesin e datës 12.11.2019.

Në momentin e vizitës sipas informacionit të dhënë nga drejtuesit e këtij Spitali, ndodheshin të shtruar 7 banorë protestues dhe 5 punonjës policie, ku 4 nga banorët protestues dhe 5 punonjës policie kishin dalë nga spitali pasi kishin dëmtime të parëndësishme, ndërsa 3 banorë protestues po u nënshtroheshin ekzaminimeve, por pa rrezik për jetën.

Nga banorët e shtruar u mor takim dhe informacion përkatës. Ata dëshmuan se ndodheshin në një lokal në zonën e “Astirit”, në pritje të ndërhyrjes së policisë për të prishur banesat. Rreth orës 05:30 të mëngjesit, kur kanë parë punonjësit e policisë që kanë rrethuar zonën, kanë dalë në trotuar duke protestuar paqësisht.

Sipas tyre, punonjësit të veshur me skafandra dhe maska kundërgaz, pa lajmëruar kanë hedhur sasi gazi lotsjellës në drejtim të banorëve, megjithëse mes tyre kishte qartazi fëmijë dhe të moshuar. Disa prej banorëve janë shtrirë në tokë, ndërsa disa të tjerë janë futur në lokal. Një shtetas pohon se është përpjekur të largohet nga vendi ku u krye sulmi me gaz, por në ecje e sipër ka ndierë se është goditur nga diçka dhe ka rënë pa ndjenja. Kur ka ardhur në vete ka parë se gjendej në spital ku u është nënshtruar ekzaminimeve.

Ndërsa një shtetase tjetër pohon se kur është hedhur gazi në drejtim të tyre, ka hyrë sërish në lokal bashkë me rreth 50 gra dhe fëmijë. Punonjësit e policisë kanë thyer xhamat e lokalit dhe kanë hedhur gaz brenda. Disa janë shtrirë dhe disa kanë mundur të dalin nga lokali. Shtetasja ka rënë pa ndjenja dhe kur ka ardhur në vete, ka qenë përdhe në rrugë, me probleme frymëmarrjeje dhe simptoma të tjera. Qytetarë të pranishëm kanë njoftuar urgjencën dhe autoambulanca e ka dërguar në Urgjencën e Traumës ku i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore dhe ka marë serum.

Sipas stafit mjekësor të repartit ku ishin shtruar banorët, ata paraqisnin simptoma të intoksikimit nga gazi lotsjellës.

Paralelisht me veprimet e mësipërme, grupe të tjera të ekspertëve të Avokatit të Popullit kanë kryer verifikime në Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe Komisariatet e Tiranës nr. 2, 3, 4 dhe nr. 6, për të kontaktuar me qytetarët e shoqëruar nga forcat e Policisë gjatë datës 12.11.2019.

Në Drejtorinë e Policisë TIranë rezultoi se: ishte shoqëruar në orën 6.45 një shtetase, së bashku me një fëmijë të mitur, por që ishte liruar në orën 9.00.

GJithashtu në orën 7.15 ishin shoqëruar edhe 5 shtetas të tjerë (4 femra dhe nje mashkull). Nga takimet me të shoqëruarit u konsatua se ndaj tyre nuk ishte ushtruar dhunë, por një shtetase paraqiste probleme shëndetësore dhe prej orës së shoqërimit nuk ishte vizituar nga mjeku, si dhe kishte nevojë për medikament.

Nga verifikimi në Komisariatin nr.3 rezultuan të shoqëruar 4 persona meshkuj (dy ne ora 6.15 dhe dy në ora 7.30). Nga biseda me të shoqëruarit, u konstatua se njëri prej tyre ishte shoqëruar me forcë nga efektivët e policisë dhe se kishte dhimbje në krahun e djathtë. Këtij personi i ishte kryer vizita nga mjeku.

Nga verifikimi në komisariatin nr. 6 u konstatua se kishte 4 persona të shoqëruar në orën 6.30, nga të cilët 2 ishin përcjellë për në Spitalin e traumës (në ora 6.55) dhe 1 person tjetër mbas marrjes në pyetje ishte lënë në gjëndje të lirë (në ora 7.30).

Nga verifikimi në komisariatin nr 4. Tiranë rezultoi se kishte dy persona të shoqëruar në orën 6.30. Nga kontakti me ta, u pretendua se ishte dhunuar nga policët që e kishin shoqëruar.

Në komisariatin nr.2 ishin 6 persona të shoqëruar nga Komisariati i Policisë nr. 3 Tiranë. Ora e shoqërimit të tyre fillonte nga 06:45 deri në 07:10. Personat e shoqëruar ishin pyetur nga oficerët e policisë gjyqësore të këtij komisariati, me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.

Nga biseda e bërë me të shoqëruarit rezultoi se ata nuk kishin asnjë pretendim për dhunim fizik apo sjellje jo etike nga punonjësit e policisë, si gjatë shoqërimit ashtu edhe gjatë pyetjes.

Ndërkohë ata pretenduan se ishin shoqëruar në mënyrë të kundërligjshme sepse nuk kishin marrë pjesë në tubimin e zhvilluar në datë 12.11.2019 dhe se nuk kishin kundërshtuar punonjësit e policisë nga të cilët ishin shoqëruar. Sipas tyre, në momentin e kapjes nga policia, ata ishin në një lokal pranë Sheshit “Shqiponja”.

Sa më sipër ishte situata e konstatuar nga ana e ekspertëve të Avokatit të Popullit deri rreth mesditës së datës 12.11.2019, por nga eksperienca të mëparshme, ka rezultuar se numri i personave te shoqëruar ka vazhduar edhe në orët e mëvonëshme.

Si konkluzion Institucioni i Avokatit të Popullit është i mendimit se situata e tensionuar e datës 12.11.2019 mund të shmangej me një qasje më pajtuese, konsensuale dhe mirëkuptuese nga ana e autoriteteve shtetërore kundrejt komunitetit të qytetarëve që ndjehen të cënuar nga projekti i zgjerimit të Unazës së re.

Sidomos e domosdoshme ka qenë kjo qasje dhe më e panevojshme është bërë forca represive, në kushtet kur ky projekt duhet të ishte në fazë ngrirjeje, deri në verifikimin e plotë të dyshimeve të lindura për parregullsi ligjore në procedurat e tij.

Avokati i Popullit shpreh shqetësimin për përdorimin e vazhdueshëm të gazit lotsjellës si mjet i parë nga ana e forcave të policisë për të sulmuar grupe qytetarësh që protestojnë paqësisht, madje mbetet i paqartë protokolli i përdorimit të këtyre lëndëve, sidomos ndaj grumbullimeve të njerëzve ku të pranishëm janë edhe fëmijë, gra e të moshuar. Avokati i Popullit pret të marrë sqarime dhe një arsyetim shterues nga ana e Policisë së Shtetit në lidhje me këto procedura, si rezultat i të cilave disa qytetarëve u janë shkaktuar dëmtime, siç konfirmohet edhe nga autoritetet spitalore.

Dhuna gjatë shoqërimeve e referuar nga disa shtetas dhe jo vetëm në këtë rast, vazhdon të mbetet një problematikë shqetësuese, për të cilën Avokati i Popullit po vazhdon hetimin administrativ.

Avokati i Popullit gjithashtu shpreh shqetësimin për pengimin që u bëhet anëtarëve të ekipeve të tij, për të kryer detyrën, si gjatë konstatimit të veprimeve në terren, ashtu edhe më pas, gjatë përpjekjeve për akses në institucione të ndryshme, gjë që është konstatuar edhe ditën e sotme. Në mënyrë të papranueshme, punonjës të stafit të Avokatit të Popullit janë penguar nga ana e autoriteteve të Rendit që të hyjnë në perimetrin e zonës ku po kryheshin veprime. Kjo është një shkelje e qartë dhe e përsëritur e ligjit i cili i garanton Avokatit të Popullit akses të plotë dhe të pakufizuar kudo ku ai e kërkon.

Nisur nga fakti që në datën 21.10. 2019 Avokati i Popullit i ka dërguar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë një raport të veçantë, ku konstatohen një sërë parregullsish nga institucionet publike, gjatë procesit të projektimit dhe zbatimit të kësaj vepre publike, si dhe disa muaj më parë i ka adresuar po Kuvendit të Shqipërisë, një raport të ngjashëm po për Unazën e madhe (për zonën e Shkozës), nisur nga zhvillimet e kësaj çështjeje, rekomandon të veprohet në afatet më të mira për shqyrtimin e këtyre raporteve dhe marrjen e masave përkatëse.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *