Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi nëpërmjet një video-mesazhi shprehu mbështetjen e saj për banorët e Unazës së Re të cilët u përplasën ditën e djeshme me policinë për mbrojtjen e banesave nga prishja për projektin urbanistik.
Kryemadhi tha se Edi Rama do përgjigjet për dhunën ndaj banorëve.
“Jam në mbështetje të plotë të banorëve të Unazës së Re. Dhuna dhe terrori i ushtruar nga Edi Rama dhe falangat e tij të krimit, që kanë kapur Policinë e Shtetit, nuk është gjë tjetër veçse instalimi përfundimtar i narko-shtetit nën emrin e qeverisë shqiptare”- tha Kryemadhi.
Duke u ndalur te gazi lotsjellës, kryetarja e LSI tha se do të dalin përpara drejtësisë të gjithë ata “që kanë kryer krime kundër njerëzimit”.
“Edi Rama do mbajë përgjegjësi për kapjen e shtetit, për shkatërrimin e drejtësisë, për shkatërrimin e reformave, për bllokimin e institucioneve shqiptare. Ai vazhdon në mënyrë të pareshtur provokimin ndaj opozitës shqiptare, por mbi të gjitha ndaj qytetarëve shqiptarë. Sot duhet të jemi të bashkuar kundër diktaturës së krimit për t’i dhënë drejtimin Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”-tha ajo.