Vendosni fjalën kyçe....

Meta dekreton Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese


Presidenti Meta ka dekretuar Marsida Xhaferlarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Mësohet se kreu i shtetit e ka firmosur dekretin sapo ka zbritur nga Rinasi pas vizitës në Francë, ku mori pjesë në Samitin e Paqes me ftesë të presidentit Macron.

Më herët Meta kishte dekretuar si anëtar të Gjykatës Kushtetuese Besnik Muçin, i cili pret ende vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ndaj tij, vendim që do shpallet më 21 nëntor.

Dy ditë më parë, Kuvendi miratoi Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Meta thekson në dekretin e tij se vendimi është marrë pas konsultimit të kandidatëve të mbetur në garë pas zgjedhjes nga Kuvendi të dy anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

DEKRET ‘PËR EMËRIMIN E GJYQTARIT TË GJYKATËS KUSHTETUESE’

Në mbështetje të neneve 93, 125 pikat 1 e 3, 129, 149/d pika 1, 179 pikat 2 e 12, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, 8 dhe 86 pika 4, shkronja ‘c’ të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar, pasi administrova ‘Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese (vakancë e plotë) e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr. 11133, datë 04.03.2019’, akte këto të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me vendimet nr.132, datë 21.09.2019 dhe 133, datë 21.09.2019; pasi u njoha me të gjithë praktikën dokumentare të vendimmarrjes dhe vlerësimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, përcjellë fillimisht nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me shkresën nr. 553 prot., datë 08.10.2019 dhe plotësuar përfundimisht me shkresën e këtij organi me nr.714 prot, datë 07.11.2019; si dhe pasi vlerësova kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, pas zgjedhjes nga Kuvendi në datën 11.11.2019, të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim vendosa të,

D e k r e t o j;

Neni 1

Zonja Marsida Xhaferllari emërohet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit 11350

Tiranë, më 13.11.2019

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *