Dy anëtarë të ekuipazhit të një anijeje me flamur italian kanë mbetur të plagosur pasi janë sulmuar nga piratët në Gjirin e Meksikës.
Lajmi u konfirmua të martën nga marina meksikane.
Një anëtar i ekuipazhit në bordin e anijes së quajtur “Remas” kishte një plagë plumbi dhe tjetri kishte pësuar një tronditje. “Reuters” shkruan se të dy burrat u dërguan në një spital.
“Remas” është një anije furnizimi për industrinë e naftës në Meksikë dhe është në pronësi të Micoperi, një kontraktues italian.
Sulmi u krye nga rreth tetë burra të armatosur që kishin hipur në anije nga dy varka peshkimi në brigjet e Ciudad del Carmen, në shtetin juglindor meksikan të Campeche.
“Remas” kishte një ekuipazh prej rreth 35 në momentin kur ndodhi sulmi.
Gjiri Jugor i Meksikës ka shënuar një rritje në sulmet e piratëve në anijet e naftës vitet e fundit.