Vendosni fjalën kyçe....

Ardian Dvorani reagon pas akuzave të presidentit: Përdori gjuhë jo etike dhe jo institucionale


Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani ka reaguar lidhur me akuzat e presidentit Ilir Meta, se po synon kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes emërimeve të anëtarëve.

Dvorani thotë se akuzat janë të pavërteta ndërsa e akuzon kreun e shtetit se ka përdorur gjuhë aspak etike.

“Duke i vlerësuar jo vetëm si të pavërteta thëniet, por edhe si tërësisht të papërshtatshme në aspektin institucional dhe etik, jo vetëm qëndrimin, por edhe sjelljen dhe gjuhën e përdorur nga Presidenti i Republikës, në raport me vendin, dinjitetin dhe prestigjin që i cakton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, 
Duke respektuar të drejtën dhe detyrimin që buron nga qënia funksionar kushtetues, në përbërje dhe drejtim të një organi kushtetues të pavarur, sipas të cilit, çdo organ kushtetues dhe çdo funksionar kushtetues është interpretuesi dhe zbatuesi i drejtpërdrejtë i Kushtetutës dhe ligjit, në mënyrën të pavarur dhe të pandikuar nga qëndrimi i institucioneve të tjera, aq më tepër nga interesat e një natyre joinstitucionale,
Duke pasur parasysh përcaktimet e qarta dhe vetë leximin e drejtpërdrejtë të dispozitave të Kushtetutës, aq më tepër të normave të saj që gjejnë zbatim në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe që në pajtim me të, rregullohen më hollësisht me ligj, për momentin vlen të parashtrohet se:

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ka ezauruar të gjitha procedurat e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve për të gjitha vendet vakante.  Cilido autoritet tjetër, përfshirë organet e emërtesës, kanë detyrimin të respektojnë vendimet e KED në këtë proces. Prandaj, ato janë të detyruar ti përmbahen listave të publikuara per sa i takon renditjes dhe përbërjes së tyre, në këtë rast të dërguara Presidentit dhe Kuvendit.”, thotë Dvorani.

Kreu i KED-së e ka shoqëruar këtë me disa citime nga tre nene të Kushtetutës, lidhur me emërimin e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti Meta e akuzoi dje kreun e KED-së se bën lojëra të dyshimta apo mafioze. Ai tha se Dvorani vendos vetë për afatet kur dërgon lista me qëllim që të vendosë presidentin në pozitë për të shkelur Kushtetutën.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *