Vendosni fjalën kyçe....

Meta thërret për t’u betuar tre anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese


Presidenti Meta ka thirrur për t‘u betuar në presidencë tre anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Meta ka thirrur Marsida Xhaferllarin, emrin e të cilit e dekretoi sapo mbërriti nga Franca dhe Elsa Toskën e Fiona Papajorgjin të cilat u emëruan në Kushtetuese nga Kuvendi në seancën e së hënës.

Njoftimi i presidentit

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

INSTITUCIONI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS

Nr. 4312/1 Prot.

Tiranë, më 14.11.2019

NJOFTIM

MBI ORGANIZIMIN E CEREMONISË SË BETIMIT TË GJYQTARËVE TË RINJ TË GJYKATËS KUSHTETUESE.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në mbështetje të nenit 129 të Kushtetutës dhe nenit 8 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, ka vendosur të thërrasë sot për betim, përpara Presidentit të Republikës, anëtarët e rinj të zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese.

Zonja Elsa Toska e zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese me Vendimin nr. 133/2019 datë 11.11.2019 të Kuvendit të Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot në datë 14.11.2019, ora 19:00.

Zonja Marsida Xhaferllari, e emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11350, datë 13.11.2019, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot në datë 14.11.2019, ora 19:30.

Zonja Fiona Papajorgji e zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese me Vendimin nr. 134/2019, datë 11.11.2019 të Kuvendit të Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot më datë 14.11.2019, ora 20:00.

Ceremonia e betimit zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe për këtë ftohen të jenë të pranishëm dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *