Italia është gati të deklarojë gjendjen e jashtëzakonshme në Venecia, pasi qyteti u përfshi nga nivele të larta të ujit deri në 1.87 metra, duke përmbytur bazilikën e tij historike dhe u preu energjinë shtëpive.
Më shumë se 80% e qytetit, që është një vend i trashëgimisë botërore të Unesco-s, ishte nën ujë kur baticat ishin në vlerat më të larta.
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte e përshkroi përmbytjen si “një goditje në zemrën e vendit tonë”.
Ai tha se qeveria do të veprojë shpejt për të siguruar fonde dhe burime, shkruan BBC.
“Më dhemb të shoh qytetin kaq të dëmtuar, trashëgiminë e tij artistike të komprometuar, aktivitetet e tij tregtare në gjunjë”- tha Conte pasi vizitoi rajonin.
Ai tha se qeveria do të “përshpejtojë” ndërtimin e mbrojtjeve strukturore për qytetin, duke iu referuar posaçërisht të ashtuquajturit projekti Mose – një sistem pengesash hidraulike për të mbyllur lagunën në rast të rritjes së niveleve të detit dhe stuhive të dimrit.
Kryeministri italian pritet të njoftojë masat e urgjencës më vonë gjatë ditës.
Sipas autoriteteve veneciane, batica do të “mbetet e lartë” në ditët në vijim, megjithëse nuk pritet të tejkalojë 130 cm mbi nivelin mesatar të detit.
Sipas kryetarit të Bashkisë së Venecias, Luigi Brugnaro, tha se dëmi në Bazilikën e famshme të Shën Markut do të shkonte në qindra-miliona euro.
Si pasojë e përmbytjeve, në Pellestrina humbën jetën dy njerëz.