Policia ka vënë në pranga katër persona, të cilët dyshohet se janë autorët e plagosjes së 63-vjeçarit, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në Vlorë. Ngjarje kjo e ndodhur në 10 maj të këtij viti, ku mbeti i plagosur një kalimtar i rastit, Dajko Canodemaj.
Katër të arrestuarit janë Daut Elmazi, 25 vjeç, Albano Goxhaj, 24 vjeç, Dejvison Serjani, 28 vjeç, Ardjan Ahmeti, 26 vjeç.
Ines Hajrulla i cili dyshohet se ka qenë shënjestër e atentatit u arrestua në muajin qershor nga policia, për arsye se gjatë përplasjes ka qëlluar edhe ai.
Detajet e policisë
Në vijim të punës intensive për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, Policia dokumenton ngjarjen e ndodhur në maj të 2019.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjurmimi”.
Vihen në pranga 4 shtetas.
Në vijim të ngjarjes së ndodhur më datë 10.05.2019, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të një lokali dhe si pasojë mbeti i plagosur 63-vjeçari D. C., ju informojmë se:
Policia e Vlorës, si rezultat i punës intensive hetimore prej 6 muajsh, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Vlorë, ka bërë zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcave Operacionale, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për vendodhjen e personave të dyshuar si autorë dhe bashkëpunëtorë në këtë ngjarje, kanë organizuar punën duke finalizuar operacionin policor të koduar “Gjurmimi”, si rezultat i të cilit kanë bërë ndalimin e shtetasve:
- D. E., 25 vjeç, banues në Vlorë;
• A. G., 24 vjeç, banues në Fier;
• D. S., 28 vjeç, banues në Tiranë;
• A. A., 26 vjeç, banues në Tiranë;
Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.