Kryeministri i vendit Edi Rama, në seancën e sotme të Jashtëzakonshme ne Kuvend, i ka kërkuar Komisionit të ngritur për shkarkimin e presidentit që ta marrë seriozisht këtë detyrë.
Edhe pse kur mori fjalën, Rama tha se sot s’do humbiste kohë duke folur për Ilir Metën, por në fakt ka 22 minuta rresht që po flet vetëm për të.
“Ka ardhur koha që nga Ilir Meta dhe të gjithë ata që i përkasin frontit të mirënjohur qysh ditën e parë të Reformës në Drejtësi, të marrin përgjigjen e duhur deri në fund nga ne.
Ky Kuvend duhet të marrë masa ligjore e kushtetuese, për të krijuar të gjithë mekanizmat zhblokues ndaj çdo akti flagrant dhe brutal bllokimi të atij që zyrën e presidentit e ka kthyer në një frëngji për të shantazhuar parlamentarët, ndërkomëbtarët e popullin shqiptar.
Besoj se komisioni i ngritur Ad Hoc për shkarkimin e Ilir Metës duhet ta konsiderojë seriozisht dhe në dritën e kësaj linje të re, të gjithë duhet të kontribuojnë për të ardhur dhe votuar këtu në Kuvend neutralizimin e akteve të presidentit e akteve antikushtetuese e antiligjore. Është shumë e thjeshtë. Merreni me mend. Kemi bërë një Reformë Drejtësie për të hequr proceset e pazaret e politikës nga emërimet. Kemi ngritur një institucion të pavarur, KED që është instituciojn i vetëm që ka detyrimin dhe të drejtën të ndjekë procesin dhe të vendosë para presidentit listat e kandidaturave sipas radhës për të zgjedhur. Nuk ka interpetime të mundshme në këtë proces.
Kush jemi ne që mund të interpetojmë e vendosin ndryshe nga sa kanë vendosur institucionet e në këtë rast KED. Nuk ia vlen të humbasim më shumë kohë për të komentuar marrëzitë e Ilir Metës. Na ka rënë ky taksirat, i ka rënë ky taksirat shqiptarëtve e do vijojmë derisa zyra e presidentit do të jetë tokë e xanum nga dikush që ka humbur busullën.”, tha Rama.