Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi ka njoftuar se sot në orën 14:00, presidenti Ilir Meta do të dalë në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta në ora 14:00 në konferencë të jashtëzakonshme për shtyp!“, shkruan Blushi.
Mes presidentit dhe KED-së ditët e fundit ka patur një përplasje lidhur me emërimin e anëtarëve të gjykatës Kushtetuese, ku sot janë paraqitur në Gjykatën Kushtuetuese, dy anëtare për një vend, Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari.
Më herët Meta tha se po afron dita e referendumit dhe paralajmëroi që askush të mos përdhosë Gjykatën Kushtetuese. Ai tha se do t’i drejtohet popullit për të mbrojtur demokracinë ndërsa paralajmëroi gjithashtu se Kuvendi mund të shpërndahet me një dekret.
“Parlamenti, me një dekret shpërndahet, qeveria me mocion mosbesimi rrëzohet, presidenti me një impeachment nga një parlament legjitim, jo nga ky…përsëri shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese. Nëse dikush mendon se angazhimet e mia kanë qenë ceremoniale do t’i bëj të qartë se kjo është Kushtetutë që mbron popullin dhe do të jetë detyrë e popullit dhe e Presidentit t’i tregojnë vendin kësaj bande uzurpatore.
Besoj se jam shumë i qartë, secili të zbatojë kompetencat e veta, veprimet do të vazhdojnë të jenë nga presidenti institucionale, dhe në momentin e duhur presidenti do t’i drejtohet popullit dhe gjithë botës për të mbrojtur demokracinë që është dhunuar në mënyrën më barbare sidomos këto 2 vite kur është lënë qëllimisht pa gjykatë Kushtetuese. I uroj suksese anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese”, tha Meta para nisjes së Forumit Rajonal për Barazinë Gjinore, ku është i pranishëm. /Hashtag.al