Në 75-vjetorin e Çlirimit të Tiranës, zëvendëskryeministri Erjon Braçe, nuk nguroi të bënte referenca të situatës aktuale politike, duke sulmuar presidentin e vendit Ilir Meta.
Duke nënkuptuar Metën dhe opozitën, Braçe tha se politikanë në vend po i hapin luftë SHBA-së dhe Perëndimit për pushtet dhe për t’iu shmangur drejtësisë.
“Të nderuar veteranë të luftës që jeni gjallë për të kujtuar si dëshmi e gjallë luftën. Kemi dëgjuar një këngë ‘që Shqipëria nuk është pushtuar, që fashistët dhe nazistët ishin kalimtarë’. Kemi dëgjuar që ky popull nuk ka luftuar dhe që është ndeshur me veten, një luftë civile. Sot për fat të mirë jemi pak metra larg nga ajo rrugë, ku jo thjeshtë partizanët, por populli i Tiranës u bë njësh me LANÇ-in kundër pushtuesve.
A ka dëshmi më të madhe se kjo, kur populli bëhet bashkë për të kundërshtuar fashizmin këtu në Tiranë. Kemi demonstruar me forcë se kemi një aftësi për të përsëritur veten si zgjedhje e mirë e drejtë e kohës në atë kohë, por edhe si turp si një zgjedhje, pa më të voglin diskutim nuk kishte lidhje me popullin, por me pushtetin bashkëpunues, fashizmin dhe nazizmin.
Sot po e përsërisin veten për ti bërë nder dhe respekt atyre që luftuan me armë kundër fashizmit. Ia vlen të kujtojmë ata që kishin të mundur që të ishin në krahun e duhur dhe bënë zgjedhjen e kundërt të turpshme të atyre që bashkëpunuan me fashizmin dhe nazizmin.
Po e përsërisin veten prapë ka pasur qeveri që kanë bashkëpunuar me nazizmin, i shpallën luftë SHBA-së, Britanisë, Francës në një akt turpi në mbështetje të fashizmit. Po e përsërisin veten prapë sot, që gjejnë kurajon që për interesa të ngushta dhe për pushtet ti shpallin luftë SHBA-se, Britanisë, Francës dhe të gjithë Perëndimit se duan pak pushtet. Edhe atëherë pushteti i bëri bashkë me fashizmin edhe sot pushteti i bën bashkë kundër Perëndimit.
Populizmi, sovranizimi që shfaqet sa herë duan pushtet të pakontrolluar, për t’i bërë dëm popullit dhe për të shmangur drejtësinë. Drejtësinë që u shërben njerëzve të zakonshëm, që i bën të gjithë të barabartë. Këtë zgjedhje ua dedikojmë atyre që luftuan fashizmin. Kush bëri zgjedhje 80 vite më parë të jetë humbës aty do i ketë të turpërohet”- tha Braçe.
Dy ditë më parë në seancën e jashtëzakonshme në Kuvend, kryeministri Edi Rama u shpreh kundër presidentit, duke thënë se ai në mënyrë të turpshme e ka vendosur vendin kundër SHBA-së dhe BE-së.
“Edhe njëherë Kuvendi mblidhet në seancë të jashtëzanshme me historinë e zakonshme me Ilir Metën. Edhe njëherë përplasja është jo mes nesh dhe Metës, por mes Metës dhe drejtësisë. Edhe njëherë tjetër për këdo që do të kuptojë pa hyrë në të thella jemi përballë si Kuvend me njeriun që e ka humbur busullën dhe e ka kthyer institucionin e Presidencës në një frrëngji, prej ku sulmon nga të katër anët, duke qenë ne këtu 100% në të njëjtën linjë me SHBA e BE.
Natyrisht pastaj është e lehtë të kuptohet pse si cdo herë tjetër Meta nuk kursen as partnerët strategjikë dhe as dy aleatëve të mëdhenj të pa lëkundur të Shqipërisë, SHBA dhe BE, duke na vënë të gjithëve në një pozitë jo komode dhe të turpshme, sepse insinuon haptas se këto përfaqësi të nderuara të shteteve që janë qysh në ditën e parë të procesit të reformës në drejtësi, promotorë dhe mbështetëse të reformës akuzohen si të korruptuara. Nuk ka më turp, e pas kësaj besoj nuk ka as nevojë të zgjatemi për të shpjeguar arsyet që na sjellin këtu dhe drejtësinë e vendimmarrjeve tona, ndaj këtë herë nuk do merrem me Ilir Metën por me drejtësinë”, tha Rama.
Presidenti Meta është i vetmi që ka folur hapur për diplomatët e korruptuar në vendin tonë, në veçanti për përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Tiranë.