‘Organizata Politike’ ka protestuar para fillimit të ndeshjes mes Shqipërisë e Francës në stadiumin e ri që do mbajë emrin ‘Air Albania’.
Në një reagim në Facebook, aktivistët e kanë emërtuar stadiumi me emrin e Naim Idrizit, punëtorit që humbi jetën gjatë punimeve për ndërtimin e tij.
40-vjeçari humbi jetën më 30 mars 2019 pasi u rrëzua nga skela teksa punonte në impiant.
‘STADIUMI KOMBËTAR “NAIM IDRIZI”
(I rënë në punë për ndërtimin e stadiumit)
Ndodh shpesh që objektet apo sheshet publike marrin emrin e atyre që kanë dhënë një kontribut të vyer, ose duke shkëlqyer profesionalisht, ose duke u sakrifikuar që objekti apo sheshi të jetë aty.
Sigurisht që kjo ndodh në një shoqëri të drejtë. Piramidat në Egjipt nuk mbajnë emrat e punëtorëve apo arkitektëve që i ideuan dhe ndërtuan, por emrat e faraonëve. Por kjo sepse bëhet fjalë për një periudhë e sundimit absolut.
Sot jetojmë në periudhēn e sundimit të PPP-ve dhe ideologjisë së tregtarizimit. Stadiumi merr emrin e sponsorit kryesor “Air Albania”. Të mos habitemi nëse nesër do çelet universiteti publik “Lufra”.
Ne, aktivistët e Organizatës Politike vendosëm që, në mënyrë simbolike, stadiumit t’i vëmë emrin e punëtorit që sakrifikoi që stadiumi të jetë sot aty. E dikujt të cilit emri s’i është dëgjuar kurrë, sepse vdekja e tij kaloi në heshtje. E punëtorit 40-vjeçar Naim Idrizi që ra nga skela duke punuar!’ – shkruhet në reagimin e ‘Organizatës Politike’ në Facebook.