Vendosni fjalën kyçe....

Avokati i Popullit raport për veprimtarinë e KED-së: Nuk arriti të realizonte një proces të patëmetë me përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese


Avokati i Popullit ka publikuar një raport me gjetje paraprake në rolin e tij si vëzhgues në veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).

Në raport Avokati i Popullit evidenton problematikat e verpimtarisë së KED-së ku përqendrohet edhe në afatet për dërgimin e listave për kandidatët për në Gjykatën Kushtetuese drejtuar si Presidenës ashtu edhe Kuvendit.

“Për fat të keq konstatojmë se puna shumë e madhe dhe me dedikim e të tërë anëtarëve, e pjesëmarrësve të tjerë në mbledhje, por edhe e këshilltarëve ligjor e sekretarisë së KED-së, nuk arriti të realizonte një proces të patëmetë, për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Që gjatë muajit gusht 2019 u identifikuan disa problematika në lidhje me numrin e kandidaturave që Këshillit i kishin mbetur për të vlerësuar, pas kryerjes së procesit të verifikimit të kandidaturave.

Për të tërë pjesëmarrësit në këtë proces, nuk ka asnjë shpjegim të asnjë lloji (as publik dhe as në mbledhje pa praninë e të tretëve), se çfarë shkaktoi dërgimin e listave përfundimtare për te organet e emërtesës gjegjësisht ditë pas datës 21.9.2019, (pra pas 15 ditësh Presidentit të Republikës dhe 21 ditësh Kuvendit të Republikës së Shqipërisë).

Për më tepër të dyja vakancat e Kuvendit, kishin më pak kandidatë në listë se ato të Presidentit të Republikës dhe secila prej kandidatëve në listat e Kuvendit ishte edhe në ato të Presidentit. Pra nuk rezulton të ketë asnjë mundësi, që të mos jenë të njëjtat materiale të listuara dhe vendime të arsyetuara, që tregon se nuk ka asnjë arsye objektive që listat Kuvendit t’i dërgoheshin me 6 ditë vonesë, në krahasim me ato të dërguara Presidentit të Republikës.

Ka rëndësi të kujtojmë edhe se vlera e afateve të caktuara në Kushtetutë apo ligjet e reformës, janë trajtuar deri më tash, si një element më pak i vlefshëm krahasimisht me plotësimin e thelbit, apo aspektin material të çështjes. Kështu nuk ka qenë e mundur të zbatohen mjaft afate të parashikuara në Kushtetutë, për ngritjen e organeve të reja të parashikuara në legjislacionin e Reformës në Drejtësi (Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Emerimeve ne Drejtësi, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë), apo ristrukturimin e organeve të tjera (si psh rasti i Gjykatës Kushtetuese)”-thuhet ndër të tjera në raport.

“Nga ana e institucionit të Avokatit të Popullit, gjatë ndjekjes së veprimtarisë së KED-se janë ngritur edhe problematikat në vijim:

– Gjatë hartimit të Rregulloreve të funksionimit të këtij organi, u konstatua një përpjekje për të kufizuar kompetencat ligjore të institucionit të Avokatit të Popullit. Falë argumenteve të dhëna nga ne, u arrit fillimisht të kufizohej kjo tendencë, por sërish disa prej Rregulloreve në versionet e tyre përfundimtare të publikuara në faqen zyrtare të KED-së, kufizuan kompetencat e institucionit tonë për të marrë pjesë në mbledhje e veprimtari, siç e parashikon Kushtetuta dhe ligji 115/2016, duke parashikuar një kufizim të mëtejshëm të transparencës së Këshillit.

Më konkretisht, KED ka miratuar një rregullore në të cilën prezanton konceptin e dhomës së këshillimit në mbledhjet e këtij organi administrativ, gjë e cila jo vetëm nuk është e parashikuar në ligj, por edhe nëse do i referoheshim teorisë të së drejtës, është një koncept i përdorur në procedurat gjyqësore dhe jo në ato administrative.

Kështu, sipas pikës 41 të Vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nr.4 datë 11.03.2019 “Për procedurën e verifikimit të kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, është vendosur që: “Bisedimet e çështjes, si dhe votimi i vendimit, bëhen vetëm me praninë e anëtarëve të Këshillit».

Duke vlerësuar një parashikim të tillë në kundërshtim me kompetencat që Kushtetuta dhe ligji që cituam më sipër i kanë dhënë institucionit tonë, ne kemi përgatitur padinë përkatëse për të goditur këtë akt nënligjor, por për të mos penguar procesin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi pritur për depozitimin e padisë deri në përfundimin e procesit nga ana e Këshillit për të evidentuar tërësisht problematikat që mund të përfshihen në këtë padi, por edhe për të mos dëmtuar imazhin e reformës së drejtësi. Pra, shumë shpejt ne do të paraqesim këtë padi në gjykatën administrative të apelit, me objekt shfuqizimin e disa prej neneve të dy prej rregulloreve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

– Fakti i përjashtimit të institucionit të Avokatit të Popullit nga veprimtaria e KED-së, nuk pasqyrohet as në Vendimet e KED-së. Në pjesën hyrëse të këtyre vendimeve thuhet se Avokati i Popullit ka qenë prezent, në pjesën arsyetuese thuhen mendimet e dhëna nga Avokati i Popullit për çështjen në fjalë, por në asnjë rresht të këtyre vendimeve nuk thuhet që Avokati i Popullit, nuk ka qenë prezent (për shkak të parashikimit të Rregullores nr. 4 të KED-së «Për procedurat e verifikimit të kandidatëve”, që cituam më sipër), në momentin e diskutimeve për problematikat e ndryshme që mund të rezultojnë për kandidatët, apo në momentin e votimit.

Formati i vendimeve të relatorit për verifikimin e plotësimit të kritereve dhe/ose relacioni i relatorëve për vlerësimin, paraqesin në hollësi veprimet proceduriale të kryera nga relatori, por nuk bëhet apo jepet asnjë analizë për gjetjet përkatëse, nëse ka. Në çdo rast mendojmë se arsyetimi i vendimeve dhe ose relacioneve do të rriste transparencën e vendimarrjes së KED, e cila formë të vetme të komunikimit me publikun ka Vendimet. Në të njëjtën linjë është edhe mungesa e çdo informacioni në vendimet e verifikimit, nëse vendimi ka qenë unanim apo jo. Deri në momentin e hartimit të këtij raporti paraprak, nuk kemi arritur të gjejmë të publikuar ndonjë vendim pakice, bashkë me vendimet për kalimin e procedurës se verifikimit për anëtaret e Gjykatës Kushtetuese, ndaj supozojmë se vendimet duhet të kenë qenë unanime.

– Një konstatim tjetër i yni ka qenë edhe niveli jo i duhur i transparencës nga ana e kryetarit të KED-së.
Sipas nenit 226 gërma d të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”: Kryetari i KED «siguron që mbledhja e Këshillit të regjistrohet në sistemin audio dhe që një përmbledhje e procesverbalit të mbledhjes së Këshillit mbahet dhe bëhet publik në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë. Përmbledhja e procesverbalit u vihet në dispozicion anëtarëve të Këshillit përpara se të bëhet publike. Në rast se ndonjëri prej anëtarëve ka dyshime për saktësinë e përmbledhjes së procesverbalit, Kryetari i Këshillit urdhëron ballafaqimin e përmbledhjes me regjistrimin audio dhe ndryshimin e saj në qoftë se dyshimi i anëtarit rezulton i justifikuar».

Duke qenë se në kundërshtim me nenin e sipërcituar, në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë KED-së nuk botoheshin proces-verbalet e mbledhjeve, ne kërkuam të na viheshin në dispozicion këto proces-verbale (ose në versionin audio, ose në versionin e zbardhur). Pavarësisht kërkesave tona të përsëritura bërë në mbledhjet e këtij organi, por edhe kërkesave me shkrim drejtuar kryetarit të KED-së, ne nuk na u vunë asnjëherë në dispozicion proces-verbalet e disa mbledhjeve (qoftë edhe në version audio, që nuk kërkon punë shtesë për zbardhjen).

Në gjykimin e Avokatit të Popullit, mosadresimi i kërkesave të bëra prej nesh në lidhje me transparencën dhe/ose çështje të tjera që ne kemi ngritur, kanë kufizuar dukshëm mundësinë tonë për të bërë detyrën e ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligji. Në leximin që ne i bëjmë Kushtetutës dhe ligjit nuk na rezulton i justifikuar apo legjitim qëndrimi i mosmarrjes në shqyrtim të kërkesave të vëzhguesit dhe trajtimi i tyre jo në prani të tij.

– Po për sa i përket transparencës, ne kemi konstatuar se vendimet e arsyetura të kandidatëve nuk u publikuan në kohën duhur në faqen zyrtare të KED-së.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *