Presidenti i vendit Ilir Meta ka bërë thirrje për rikthimin në vend të dhjetëra grave e fëmijëve shqiptarë që ndodhen në Siri.
Këtë thirrje presidenti e bëri gjatë fjalimit në Konferencen Ndërkombëtare “Feja si një instrument për paqen” të organizuar në bashkërendim me Departamentin e Shtetit të SHBA-së.
Meta po fliste për 11-vjeçarin shqiptar Alvin Berisha dhe shtoi se përveç tij janë edhe dhjetëra gra e fëmijë shqiptarë duhen kthyer e riintegruar në shoqëri.
“Kohët e fundit i gjithë opinioni u trondit rëndë nga rasti i Alvin Berishës, vogëlushit shqiptar, i cili mbeti i mbyllur në kampin Al-Hol të Sirisë. Falë gazetarisë së huaj dhe vendase ky rast u vu në vëmendjen e opinionit publik por ka edhe kampe të tjera në të cilat ndodhen me dhjetëra gra e fëmijë shqiptarë dhe nga vendet e tjera të rajonit tonë. Duhen ngritur urgjentisht qendrat e rehabilitimit për t’u kujdesur që persona të tillë të integrohen në shoqëri dhe të shërohen nga trauma të tilla. Viktimat e këtij fenomeni duhet të identifikohen, duhet të mbrohen përkrahen dhe të ndihmohen të bëhen pjesë e jetës normale pranë familjes së tyre dhe të integrohen në shoqëritë tona në mënyrë dinjitoze. Shfrytëzoj këtë mundësi të falenderoj të gjithë udhëheqësit tonë fetar që kanë dhënë një kontribut të madh dhe të rëndësishëm për harmoninë fetare në Shqipëri”, tha presidenti Meta.