Presidenti Meta ka pritur sot në zyrë një delegacion të nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga Presidenti i Asamblesë, George Tsereteli, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Roberto Montella.
Kreu i Shtetit falenderoi Asamblenë Parlamentare të OSBE-së për mbështetjen që ka dhënë ndër vite për forcimin e shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike të vendit, duke kërkuar njëkohësisht vëmendje dhe angazhim edhe në të ardhmen në ruajtjen dhe forcimin e vlerave që Organizata dhe shtetet pjesëmarrëse mishërojnë.
Duke ju përgjigjur interesimit për situatën politike në vend, Presidenti Meta theksoi me forcë domosdoshmërinë e zbatimit të reformës në drejtësi vetëm sipas Kushtetutës së miratuar me konsensus tre vite më parë.
Meta vlerësoi më tej angazhimin e vendeve anëtare të BE-së për mbëshetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit europian.
‘Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të jenë përsëri objekt shqyrtimi në Samitin e Zagrebit që do të zhvillohet në maj të vitit 2020 dhe në këto 6 muaj, 9 kërkesat e Bundestagut duhet të shërbejnë si harta e vetme e rrugës për Shqipërinë që mund të çojë në një vendim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në’. – tha Meta.