Gjyqtari i Gjykatës së Durrësit, Arjan Balliu, është shkarkuar nga Vettingu. Vendimi është marrë sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Sipas anëtarëve të KPK-së, Balliu nuk ka arritur të justifikojë pasurinë.
Në seancën e para një jave, gjyqtari i kundërshtoi pretendimet e KPK-së ndërsa tha se hetimet e mëpërparshme të ILDKPKI-së nuk kishi gjetur probleme në pasurinë e tij. Balliu tha gjithashtu se ligji për deklarimin e pasurive ishte i paqartë
Arjan Balliu e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1993 dhe ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës deri në vitin 2000.
Më pas, zoti Balliu ka punuar si drejtor i Lojërave të Fatit në Ministrinë e Financave. Nga viti 2004 Balliu ka ushtruar profesionin e avokatit, ndërsa në vitin 2009 është emëruar inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Ai është rikthyer në sistemin gjyqësor në vitin 2013 si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Durrësit, detyrë të cilën e kryen edhe aktualisht.
Vlen të theksohet se Balliu është gjyqtari që i dha mandatin e kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sako, pas vendimit negativ të gjykatës së shkallës së parë.