Vendosni fjalën kyçe....

Policia në Hong Kong rrethon kampusin universitar, rreth 1 mijë protestues të bllokuar brenda


Policia në Hong Kong ka rrethuar një kampus universitar pas protestave të dhunshme. Sipas BBC-së, me qindra protestues janë bllokuar brenda prej disa ditësh. Dhjetra protestues u përpoqën të largoheshin sot pas lindjes së diellit, por u kthyen pas për shkak se policia gjuajti me gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Policia tha që gazi lotsjellës u përdor për shkak se “një grup i madh i rebeluesve të maskuar … papritur iu drejtua kordonit policor”.

Pasditen e djeshme një grup tjetër protestuesish u përpoq të largohej nga kampusi, por shumë prej tyre u arrestuan.

Grupi prej rreth 100 personash u përpoqën të largoheshin nga Universiteti Politeknik përmes një tuneli por policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe shumë prej tyre u arrestuan. Pjesa tjetër e grupit u tërhoq pas në kampus.

Policia më herët u bëri thirrje protestuesve se mund të largoheshin nga kampusi përmes urës në anën jugore, por u kërkuan atyre që të hidhnin armët dhe të hiqnin maskat kundër gazit. Por një ligjvënës pro-demokracisë që ndodhet brenda kampusit, Ted Hui, tha që ura tashmë ishte mbyllur dhe nuk ishte e mundur të dilje në këtë mënyrë.

Rreth 1.000 njerëz, shumë prej të cilëve janë studentë ende mbeten në kampus. Hui shtoi se shumë protestues në kampus ishin të plagosur dhe atyre u është ndërprerë shërbimi mjekësor. Sipas tij situata është e rëndë.

Presidenti aktual i sindikatës studentore tha se brenda kampusit ka ujë të freskët, por furnizimet ushqimore ishin të pakta. Një student i tha agjencisë së lajmeve Reuters: “Në fillim u ndjeva shumë i frikësuar duke qëndruar këtu, sepse policia tha që të gjithë ne brenda universitetit do të arrestoheshim të akuzuar për trazira dhe se ne do të dënohemi për 10 vjet ose më lart. Por tani ndihem shumë paqësor sepse besoj se të gjithë brenda universitetit tonë do të qëndrojmë së bashku”.

Në fillim u tha se pjesa më e madhe e protestuesve të mbetur në universitet janë studentë, por tani është e paqartë se sa studentë aktualë kanë mbetur. Sipas një politikani i cili aktualisht ndodhet në kampus, shumë prej protestuesve të mbetur janë adoleshentë dhe nxënës të shkollave të mesme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *