Sipas kreut të Inteligjencës Ushtarake Irakiane, anëtarët e vjetër të ISIS-it po planifikojnë arratisje masive nga burgjet dhe një ringjallje të terrorit pasi të strehohen në Turqi.
Gjenerali Saad al-Allaq tha për “CNN” se Iraku kishte dorëzuar dosjet për nëntë liderët e dyshuar të terrorizmit në Turqi. Subjektet përfshinin financierë të lartë me qasje në shuma “të mëdha” parash për të financuar operacione në të gjithë botën.
Sipas tij, komunikimet e fundit nga ish-pjesëtarë të ISIS-it tregojnë për plane për të mundësuar arratisjen e të burgosurve në kampet dhe burgjet e Sirisë dhe Irakut.
“Përpjekje të mëdha ndërkombëtare duhet të merren me këtë çështje sepse këta kriminelë … janë në gjendje të lënë këto kampe dhe të kthehen përsëri në vendet e tyre dhe kështu të paraqesin rrezik të madh në vende si Evropa, Azia dhe Afrika veriperëndimore”– tha al-Allaq.
Ka rreth 10,000 luftëtarë të dyshuar të ISIS-it në paraburgim nën Forcat Demokratike Siriane të mbizotëruara nga kurdët në veri të Sirisë.
Një kamp aty pranë ka 70,000 gra dhe fëmijë. Al-Allaq rrallë jep intervista. Ai ka punuar ngushtë me CIA-n në fushatën kundër ISIS-it.