Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pritet që sot rreth orës 09:00, të ketë një takim me presidentin e Republikës Ilir Meta lidhur me krizën politike në vend.
Po ashtu në këtë takim do jenë edhe partitë e tjera aleate të PD-së. Ditën e djeshme Basha tha se e ka pranuar ftesën e Metës për këtë takim pa hezitim: “E kam pranuar dhe e kam konfirmuar, nesër në orën 9”.
Mbrëmjen e kaluar, kryedemokrati u takua me aleatët për qëndrimin që do të mbajnë përpara Presidentit për zgjidhjen e krizës.
Presidenti Meta ka organizuar edhe takime të tjera me Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë, president i të cilit është Besnik Mustafaj, ish-ambasador i Shqipërisë në Francë.
Nisma e presidentit për këto takime erdhi pas situatës së krijuar me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti ka patur një përplasje me maxhorancën lidhur me plotësimin me anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ku presidenti Meta dekretoi si anëtare Marsida Xhaferllarin, ndërkohë që KED dhe maxhoranca thonë se ky vend i takon Arta Vorpsit pasi ajo është e para në listë dhe presidentit i ka përfunduar afati 30 ditor që kishte në dispozicion për të zgjedhur.
Lidhur me këtë, Meta akuzon kreun e KED-së Ardian Dvoranin, që sipas tij nuk ka zbatuar rendin kronologjik të dërgimit të listave, duke çuar në përplasje mes Presidentit dhe Kuvendit./Hashtag.al