Vendosni fjalën kyçe....

Lulzim Basha: Asnjë alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pas takimit me Ministren e Jashtme suedeze, ka dalë në një deklaratë për mediat për të folur lidhur me këtë takim por edhe me takimin që pati më herët me presidentin Ilir Meta dhe aleatët.

Basha konfirmoi se në këtë takim dy çështjet kryesore që janë diskutuar, janë: Reforma në Drejtësi dhe Reforma Zgjedhore.

Kryedemokrati tha se ka prova tronditëse që vërtetojnë qëllimin e kryeministrit Edi Rama, për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.

“Në takimin me presidentin Meta u njohëm me procvat tronditëse të asaj që e kemi ditur dhe thënë më përpara, atë të ndërhyrjes flagrante të kryeministrit të vendit në procesin e Reformës Zgjedhore dhe konkretisht në procesin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Ka prova dhe fakte tronditëse që vërtetojnë se qëllimi i vetëm i kryeministrit dhe kësaj qeveria, është jo zbatimi i Reformës në Drejtësi por kapja e Reformës në Drejtësi dhe kapja e Gjykatës Kushtetuese.

Partia Demokratike dhe aleatët tanë e kanë konsideruar prej fillimit këtë një grusht kushtetues, por përtej kësaj, edhe një provë më shumë se me këtë qeveri Reforma në Drejtësi është e rrezikuar, drejtësia e pavarur që nuk mbron por ndëshkon politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin mbetet një iluzion. E kemi parë këtë në rastin e Saimir Tahirit, e kemi parë këtë në rastin e hetimeve të ndaluara dhe të sabotuara për manipulimin zgjedhor, me dosjen 184 dhe dosjen 339, e kemi parë në rastin e varrosjes së aferave të tmerrshme korruptive të kësaj qeverie. PD dhe opozita e bashkuar qëndrojnë për një Reformë në Drejtësi sipas Kushtetutës. Ne kërkojmë vënien në funksion sa më të shpejtë të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, SPAK-ut, sipas kushtetutës dhe jo sipas planeve, anktheve dhe problemeve korruptive të qeverisjes aktuale.”-tha Basha.

Lideri demokrat u shpreh se opozita e bashkuar i ka gati propozimet për reformën zgjedhore, ndërsa do i prezantojë në fillim të muajit dhjetor.

“Çështja e dytë që kemi diskutuar, është domosdoshmëria për zgjidhjen e krizës politike. Prej më shumë se tre muajsh, kjo detyrë është shtruar edhe prej institucioneve ndërkombëtare e në veçanti nga fuqia më e madhe europiane, Gjermania përmes Bundestagut. Është shtruar po ashtu nga partnerët tanë strategjikë. Prej 4 muajsh Rama refuzoi dialogun dhe ndërmjetësimin ndërkombëtare të ofruar në katër raste nga institucionet ndërkombëtare.

Opozita as nuk ka kërkuar dhe as nuk kërkon apo mbështet shtyrjen e reformës zgjedhore. Javën e ardhshme do të konkretizojmë dokumentin strategjik me amendamentet për ndërhyrjet në këto ligje, propozimin e plotë për reformën zgjedhore. Nga ana tjetër kemi pasur sabotim të reformës zgjedhore. Propozimet do të jenë gati jo më vonë se fillimi i dhjetorit.”, tha Basha.

Kreu i opozitës insiston në kërkesën e tij për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Nuk ka alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe vendore në një ditë. Ne do të vazhdojmë të insistojmë në këtë kërkesë të pandryshueshme të opozitës, dhe do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshme si opozitë, duke i bërë thirrje edhe qytetarëve shqiptarë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, për zgjidhjen e kësaj krize, që po shkatërron ekonominë e vendit, po shkatërron shpresën e shqiptarëve, për të marrë pastaj të gjithë sëbashku hapat e nevojshme që i takojnë një shoqërie të civilizuar që përballet me një qeveri autokrate.” – tha kryedemokrati./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *