Vendosni fjalën kyçe....

Zbardhet takimi në Presidencë: Meta mbështet opozitën për zgjedhjet e parakohshme


Zbardhet takimi me dyer të mbyllura në Presidencë, mes presidentit Ilir Meta, kreut të PD-së Lulzim Basha dhe aleatëve të këtij të fundit.

Kreu i Shtetit përmes këtij njoftimi thotë se ka përshëndetur hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione.

Nisma e presidentit për këto takime erdhi pas situatës së krijuar me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti ka patur një përplasje me maxhorancën lidhur me plotësimin me anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ku presidenti Meta dekretoi si anëtare Marsida Xhaferllarin, ndërkohë që KED dhe maxhoranca thonë se ky vend i takon Arta Vorpsit pasi ajo është e para në listë dhe presidentit i ka përfunduar afati 30 ditor që kishte në dispozicion për të zgjedhur. Për këtë përplasje mes presidentit dhe Kuvendit, Meta akuzon kreun e KED-së Ardian Dvoranin.

NJOFTIMI I PRESIDENCËS

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me kryetarët e partive të Opozitës së Bashkuar, drejtuar nga Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Presidenti Meta i njohu të gjithë pjesëmarrësit në takim me situatën dramatike të sundimit të ligjit, dhe veçanërisht me zbatimin e njëanshëm antikushtetues të Reformës në Drejtësi.

Manipulimi i procesit të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke synuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes rrëmbimit të të drejtës kushtetuese të Presidentit të Republikës për të bërë emërimet e tij, është skandali më flagrant i Reformës në Drejtësi dhe shkeljes së Kushtetutës.

Presidenti theksoi se nuk do të lejojë askënd të neutralizojë kompetencat e Presidentit të Republikës, siç ia njeh Kushtetuta e vendit, dhe se do të ndërmarrë çdo veprim për të ndaluar këtë puç kushtetues.

Kreu i Shtetit përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione.

Presidenti Meta vuri në dukje se përmbushja urgjente e kushteve të Bundestagut është e vetmja rrugë e sigurtë për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, dhe për ndalimin e shpopullimit dramatik të vendit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *