Miliona spanjollë po gjurmohen në celularët e tyre këtë javë si pjesë e një studimi të diskutueshëm qeveritar të krijuar për të mbledhur informacione rreth vendit ku udhëtojnë qytetarët dhe me qëllim të ‘përmirësimit të shërbimeve publike’.
Instituti Kombëtar i Statistikave (INE) i ka siguruar njerëzit që projekti tetë ditor është plotësisht ‘anonim’, por kjo nuk ka ndaluar shqetësimet për ngritjen e çështjeve të intimitetit të ‘shtetit spiun’ sipas modelit ‘Big Brother’.
Tre operatorët më të mëdhenj të telefonisë celulare në Spanjë, ‘Movistar’, ‘Vodafone’ dhe ‘Orange’ po marrin pjesë në këtë projekt dhe këmbëngulin se nuk po shkelin ligjin duke i dorëzuar të dhënat qeverisë. Të tre kompanitë përbëjnë gati 80 përqind të përdoruesve të celularëve në Spanjë.
‘INE’ së pari do të ndjekë lëvizjen e njerëzve mes 18-21 nëntorit, dhe pastaj përsëri në 24 nëntor, Ditën e Krishtëlindjes dhe më 20 korrik e 15 gusht 2020.
Me informacionin në dispozicion, do të jetë e mundur, për shembull, të shihet ‘sa celularë ka në 5 të mëngjesit në një rrugë të caktuar në çdo qytet me më shumë se 15,000 njerëz, por jo më shumë se kaq,’ tha INE për ‘El Confidencial’.
Për të kryer hulumtimin, agjensia e ka ndarë vendin në 3.200 qeliza, me mbi 5,000 njerëz në secilën prej tyre. Ndjekësit do të jenë në gjendje të kuptojnë se sa telefona ka në secilën qelizë në periudha të caktuara gjatë gjithë ditës.
Së pari, telefonat do të analizohen mes mesnatës dh orës 6 të mëngjesit në mënyrë që të deshifrojnë se ku jetojnë përdoruesit e telefonit dhe pastaj përsëri mes 9 të mëngjesit e orës 6 të pasditës për të zbuluar se ku punojnë ose shkojnë gjatë ditës.
Rezultatet do të përdoren në regjistrimin e vitit 2021 dhe do të zbulojnë cilat rrugë ditore të udhëtimit përdoren më së shumti, cilat vende janë më të zakonshmet për pushimet, si dhe informacionin se sa njerëz punojnë ose studiojnë distanca të gjata nga shtëpitë e tyre.
Qeveria do t’i paguajë secilit prej tre operatorëve kryesorë rreth 500,000 euro secilit për të fituar qasje në informacionin e vlefshëm, raportohet.