Vendosni fjalën kyçe....

Ilir Meta pret sot ish-presidentët në takim


Presidenti i vendit Ilir Meta pritet të takohet sot me paraardhësit e tij në këtë post, ish-presidentët Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe Bujar Nishani.

Ditën e djeshme ai u takua me ish-presidentin Rexhep Meidani me të cilin diskutoi për krizën politike në vend.

“Së bashku me ish-Presidentin, Prof.Rexhep Meidani diskutuam sot për zhvillimet më të fundit në vend dhe rëndësinë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike dhe institucionale”– u shpreh Meta dje.

E njëjta temë diskutimi besohet se do jetë edhe me ish-presidentët e tjerë. Këto takime Meta i ka nisur në kulmin e një konflikti mes tij dhe KED-së, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë gjithë këtyre ditëve, presidenti është treguar i qartë për kompetencat e tij në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ai ka kallëzuar penalisht kreun e KED-së Ardian Dvoranin, pasi sipas tij me qëllim ka çuar dy institucionet, Presidentin dhe Kuvendin në përplasje duke mos zbatuar rendin kronologjik të dërgimit të listave.

Presidenti Meta pati deklaruar pak ditë më parë se mund të firmosë një dekret për shpërndarjen e Parlamentit së shpejti.

“Parlamenti një ditë do të shpërndahet, nuk është ky problemi, puna është se ky Parlament kot sa rri edhe një ditë më shumë në këtë mënyrë si sillet. Ju e dini shumë mirë se Parlamenti shpërndahet gjithmonë me dekret të Presidentit”- janë fjalët e Metës.

Ditën e djeshme Meta pati një takim edhe me kreun e PD-së Lulzim Basha dhe me drejtuesit e tjerë të partive opozitare aleate.

Në takim është diskutuar për reformën në drejtësi dhe për zgjedhore, dhe presidenti njoftoi se ka përshëndetur hapat e opozitës, përfshirë kërkesën për zgjedhje të parakohshme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *