Autoritetet Holandeze kanë gjetur të martën 25 migrantë brenda një kontenieri frigoriferik në një traget që ishte nisur drejt Anglisë.
Trageti “Britannia Seaways”, i cili është në pronësi të operatorit danez DFDS, u largua nga Holanda ditën e martë dhe shpejt u kthye në portin holandez të Vlaardingen pasi migrantët bënë një vrimë në një rimorkio. Të paktën sipas deklaratës së kompanisë së transportit detar.
Anija ishte duke shkuar për në Felixstowe në jug të Anglisë. DW shkruan se dy prej migrantëve u dërguan në një spital për t’u trajtuar për hipotermi. Gjendja e tyre nuk dihet.
Të tjerët morën trajtim mjekësor në port dhe u dërguan në një ambient të policisë. Ende nuk dihet se nga janë migrantët dhe as se si u futën në anije.
Ky zbulim vjen vetëm disa javë pasi 39 migrantë vietnamezë u gjetën të vdekur në një kamion pranë Londrës.