Vendosni fjalën kyçe....

Përplasja për Gjykatën Kushtetuese, reagon ambasada e SHBA-së: Drejtojuni Komisionit të Venecias


Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar për herë të parë lidhur me përplasjet mes presidentit Ilir Meta dhe Kuvendit, në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një njoftimi, Ambasada e SHBA-së këshillon që palët t’i drejtohen për opinion Komisionit të Venecias.

“Reforma në drejtësi është një nga prioritetet më të larta të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Përparimi i vazhdueshëm i reformave është thelbësor për çuarjen përpara të qëllimit tonë të përbashkët të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Tashmë Shqipëria ndodhet në prag të ringritjes së Gjykatës së saj Kushtetuese, një hap madhor në procesin e reformës në drejtësi. Megjithatë ky përparim i nevojshëm ka ngecur për shkak të interpretimeve të ndryshme ligjore të procesit të emërimit, parashikuar nga kushtetuta shqiptare dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi.

Institucionet gjyqësore shqiptare, kushtetuta dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi, duhet të udhëheqin procesin e zgjidhjes së këtyre intepretimeve të debatuara.

Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi intepretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias. Ecja në këtë drejtim do të ishte tërësisht në përputhje me aspiratat europiane të vendit.

Teksa Shqipëria ndërmerr këto reforma thelbësore, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të saj si një vend mik, partner dhe aleat.”- thuhet në njoftimin e ambasadës.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *