Vendosni fjalën kyçe....

Taulant Balla – Besnik Muçit: S’je më anëtar i Gjykatës Kushtetuese kur shkarkohesh nga Vetingu


Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka reaguar lidhur me shkarkimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi.

Sipas Ballës, presidenti po tenton bllokimin e reformës në drejtësi. Ai tha se sapo Komisioni Hetimor Paralamentar të zgjerojë objektin e tij të hetimit edhe për shkeljet në emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e re e Gjykatës Kushtetuese, do të kërkojë mendimin e Komisionit të Venecias.

 “Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për ngërçin e krijuar në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese sapo Komisioni Hetimor të zyrtarizojë dhe zgjerimin e objektit të hetimit ndaj Presidentit. Kujtoj se raporti i komisionit te Venecias në lidhje me dekretin e Presidentit të datës 10 qershor dha mendimin profesional mbi çështjen.
Edhe në këtë rast komisioni hetimor do t’i drejtohet Kuvendit që sapo të jetë miratuar zgjerimi i  objektit të hetimit t’i drejtohemi edhe njëherë të Komisionit të Venecias. I bashkohem mendimit të partnerit tonë strategjik SHBA, partnerëve evropian. Siç e patë dhe reagimin e Maja Kocijancic e cila ishte në një valë mendimi me reagimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe respektimin e Kushtetuetës dhe afateve kushtetuese për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese“, tha Balla.

Sipas tij, nuk mund të jesh më anëtar i Gjykatës Kushtetuese kur nuk ke kaluar Vettingun, duke komentuar kështu deklaratat e Besnik Muçit se nuk do të lërë detyrën.

“Së pari asnjë përfaqësues i ps nuk ka komentuar dhe nuk do komentojë vendimet e KPK dhe KPA, janë të autoriteteve kushtetuese të cilat tashmë nuk kanë asnjë lloj ndikimi dhe nuk duhet të kenë asnjë lloj atakimi politik. 

Politika mjaft më ka mbajtur peng shumë vite me radhë deri në draftingun e reformës në drejtësi dhe jemi në fazën kur politikanët duhet të heshtin sa herë që procesi historik i Vettingut pastron drejtësinë nga elementët që nuk kanë besimin e publik, nuk justifikojnë pasuritë, nuk kanë aftësitë profesionale e më keq akoma faktojnë që kanë lidhje me botën kriminale.

Nuk i komentojmë vendimet e Vettingut. Të gjithë e dimë se qasja e legjislativit është se nuk ka më që të jesh anëtar i Gjykatës Kushtetuese pasi je shkarkuar nga Vetingu. Vendimet nuk diskutohen, ato vetëm zbatohen. Kjo do ta bënte antikushtetuese.” u shpreh Balla para gazetarëve.

Ai theksoi se çdo përpjekje për të penguar Reformën në Drejtësi, qoftë dhe nga presidenti, “do të përballet me ligjin”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *