Zbulohet cili është personi që ka komunikuar dje me telefon presidenti Ilir Meta, lidhur me ngërçin në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas “BalkanWeb“, ai është i dërguari special i Departamentit Aamerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.
Nuk dihen shumë detaje mbi bisedën mes tyre, por mendohet se fokusi i bisedës së tyre ka qenë situata politike në vend dhe rrugët për një zgjidhje.
Vetëm pak më herët, zëdhënësi i presidentit Tedi Blushi, në një reagim për Ambasadën amerikane, tha se: “Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit”.
Ambasada e SHBA-së këshillonte më herët përmes një njoftimi, që palët t’i drejtohen për opinion Komisionit të Venecias si zgjidhje për konfliktin mes Presidentit dhe Kuvendit. Zëdhënësi i presidentit reagoi menjëherë duke thënë se ka ardhur koha t’i jepet fund drejtimit sipas ambasadave, dhe të aplikohet “Rule of Law” apo sundimi i ligjit.