Vendosni fjalën kyçe....

Zëdhënësi i Presidentit: Jemi gati të publikojmë telefonatën 30-minutëshe të Metës me Palmer


Tedi Blushi, zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, ka zbuluar të tjera detaje mbi telefonatën e këtij të fundit me zv/ndihmës Sekretarin Amerikan, Matthew Palmer.

Blushi thotë se kjo bisedë është bërë me kërkesë të zyrtarit të lartë amerikan dhe ka zgjatur për plot 30 minuta. Ai shton se nëse bien në dakordësi me ambasadën Amerikane në Tiranë, presidenti Meta është i gatshëm të publikojë transkriptin e kësaj bisede telefonike pasi nuk ka asgjë për të fshehur.

“Të dashur kolegë gazetarë,

Interesimit tuaj për një lajm, që siç më vutë në dijeni, ja u ka konfirmuar z.Guri Lekloti dhe ju ka sugjeruar t’ja u konfirmoj edhe unë, ju sqaroj :

Po, është e vërtetë që mbrëmjen e djeshme ka patur një bisedë telefonike rreth 30 minuta mes Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta dhe Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA, z.Mattheë Palmer, me kërkesë të këtij të fundit.

Qëndrimet e Presidentit Meta të shprehura gjatë kësaj bisede telefonike kanë qenë mjaft të qarta, transparente dhe shteruese.

Megjithatë nëse z.Lekloti, bie dakord me ambasadën e SHBA në Tiranë, dhe na autorizon ta publikojmë të plotë transkriptin e kësaj bisede telefonike, ne jemi gati ta vëmë atë të plotë në dispozicion të opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar.

Presidenti Meta nuk ka asgjë për të fshehur!

Konfirmojmë se marrëdhëniet tona strategjike me SHBA janë të forta, të qëndrueshme dhe transparente, si asnjëherë!”- thotë Blushi.

Nuk dihen shumë detaje mbi bisedën mes Metës dhe Palmerit, por mendohet se fokusi i bisedës së tyre ka qenë kriza politike në vend dhe rrugët për një zgjidhje. Mëngjesin e sotëm pati një përplasje mes Presidencës dhe Ambasadës Amerikane.

Ambasada e SHBA-së këshillonte përmes një njoftimi, që palët t’i drejtohen për opinion Komisionit të Venecias si zgjidhje për konfliktin mes Presidentit dhe Kuvendit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.  Zëdhënësi i presidentit reagoi menjëherë duke thënë se ka ardhur koha t’i jepet fund drejtimit sipas ambasadave, dhe të aplikohet “Rule of Law” apo sundimi i ligjit. Këtu ai zbuloi dhe këtë telefonatë, duke thënë se“Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *