Gazetari shqiptar që bashkëpunoi me emisionin “Le Iene” Taulant Kopliku, për të mundësuar takimin mes babait Afrim Berisha dhe djalit të tij Alvinit rrëfen momentet e tmerrshme që ka përjetuar vogëlushi shqiptar në Siri.
Kopliku tha për ‘News 24’ se për ditë me radhë Alvini është ushqyer vetëm me fije bari. Këtë detaj ia ka treguar babait të Alvinit, një grua kosovare e cila kishte marrë 11-vjeçarin pas bombardimit ku humbi jetën nëna e tij.
“Ato 10 ditë kanë qenë ditë të tmerrshme për atë fëmijë, sepse ishte i plagosur. Kishte rrjedhje gjaku. Janë transportuar në disa zona ku ka pasur stane bagëtish dhe janë detyruar të hanë gjethe për bagëtitë. Janë ushqyer me gjethe dhe bar për 10 ditë me radhë. Gjëja që i ka thënë ajo grua ishte se: ‘ky fëmijë nuk është ankuar asnjëherë. Ai ishte i vendosur që të vazhdojë rrugën me ta”, tha gazetari Taulant Kopliku.
Ai thotë se kurdët janë të gatshëm për t’i larguar nga kampi gratë dhe fëmijët, por është shteti shqiptar ai që nuk ka shprehur interesim.