Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar shpalljen e vakancës për vendin e lënë bosh nga Besnik Muçi në Gjykatën Kushtetuese. Këtë vendim Meta e ka marrë pas takimit që pati sot në Presidentë me Muçin, të cilit i kërkoi të rivlerësonte qëndrimin e tij më të fundit për të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të shprehej me vendim për të deklaruar përfundimin e mandatit të tij si gjyqtar kushtetues.
Në njoftimin e publikuar nga zyra e shtypit në Presidencë, thuhej se Meta ishte në pritje të njoftimit nga Gjykata Kushtetuese për të rishpallur menjëherë këtë vakancë për aplikim.
Pas kësaj, nga faqja online e Gjykatës Kushtetuese u hoq emri i Besnik Muçit dhe njoftoi edhe presidentin Meta për vendin e ri vakant. Aktualisht në faqen zyrtare rezultojnë të jenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese: Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari si edhe Fiona Papajorgji.