Pas arrestimit të bashkëshortit për mashtrim, në pranga bie edhe Migena Kajolli e cila deri më tani mbahej në “arrest shtëpie”.
Migena Kajolli dhe bashkëshorti i saj, Fisniku akuzohen për mashtrim. Ata u premtonin qytetarëve se do punësoheshin në kompanitë private të naftës dhe i merrnin nga 2-3 mijë euro secili.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, ndaluan shtetasen:
Migena Kajolli, 30 vjeçe, banuese në Fier.
Ndalimi i 30-vjeçares u bë pasi Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin e datës 22.11.2019 e ka dënuar me 8 vite burgim, për veprat penale, “Mashtrimi” dhe “Mashtrimi në bashkëpunim me pasoja të rënda”.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme hetimore.”– thuhet në njoftimin e policisë.
Dyshohet se në total shumë e parave të përfituara nga ana e çiftit, është rreth 200 mijë euro.
Çifti Kajolli nga Dërmënasi i Fierit dyshohet se e kishte nisur aktivitetin e paligjshëm të mashtrimit të personave të ndryshëm për përfitimin e parave që prej vitit 2016.
Ata kanë mashtruar dhjetëra persona duke u premtuar atyre se do t’i punësonin në kompani të ndryshme private, kryesisht kompani që operoanin në sektorin e hidrokarbureve kundrejt shumave të parave.
Nga hetimet ka rezultuar se ata e vendosnin “tarifën” e punësimit kundrejt mundësive të “klientëve” të tyre për të paguar. Për ta bërë të besueshme skemën e tyre të mashtrimit, Kajolli e cila dyshohet të ketë qenë ideatorja e kësaj skeme, u thoshte personave që u kishte marr paratë se në telefonin e tyre do të mbërrinte një mesazh konfirmimi nga kompania.
Pasi kalonin disa ditë, në telefonat e personave që kishin paguar shumat e parave për t’u punësuar, mbërrinte mesazhi i konfirmimit se kërkesa e tyre për punësim ishte regjistruar në sekretarinë e kompanisë dhe po shqyrtohej.