Policia thotë se ka identifikuar autorët e dyshuar të ngjarjes së rëndë që ndodhi një ditë më parë në Mirditë, ku mbeti i plagosur 26-vjeçari Frederik Leka.
I riu u dhunua e më pas u qëllua me plumb në shpatull dhe në këmbë në vendin e quajtur “Kroji Shtogut” në Mirditë. Ai u dërgua më pas në spitalin e Traumës në Tiranë.
4 personat e dyshuar janë shpallur sot në kërkim.
“Identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar të plagosjes së shtetasit F. L., ndodhur mbrëmjen e djeshme. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në vendin e quajtur “Kroji Shtogut” Mirditë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shtetasit A.N.,A.N., V.P. dhe A.P., banues në Lezhë dhe Mirditë, kanë goditur me sende të forta dhe plagosur me armë zjarri shtetasin F. L. Policia e Qarkut Lezhë vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar, të cilët janë shpallur në kërkim. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme hetimore.”– thuhet në njoftimin e policisë.