Vendosni fjalën kyçe....

Samir Mane shkarkon kryetarin e sindikatës së minatorëve pesë ditë pas themelimit të saj


Kompania “Albchrome” e biznesmenit Samir Mane, ka shkarkuar nga puna kryetarin e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës Elton Debreshi, vetëm pak ditë pas themelimit të kësaj sindikate.

Lajmi është konfirmuar nga Sindikata e SMBB-së përmes një njoftimi, në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Arsyetimi për shkarkimin e Debreshit është për “thyerje disipline në punë”.

Kujtojmë se Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës u njoh nga gjykata më 15 tetor të këtij viti. Themeluesit e saj, mes të cilëve Debreshi kërkojnë kushte më të mira pune, rritje të pagave dhe synojnë të rrisin përfaqësimin e punëtorëve në industrinë minerare.

Sipas tyre, sindikatat që kanë përfaqësuar deri më tani minatorët në Bulqizë janë bërë palë me kompanitë.

Sindikata e minatorëve thotë se kompanitë si “Albchrome” po marrin masa ndëshkimore ndaj themeluesve të kësaj sindikate, që ata të mos të kërkojnë të drejtat e tyre si minatorë.

“Një vendim i tillë vjen qartazi si pasojë e organizimit sindikal të ndërmarrë nga Eltoni dhe dhjetra minatorë të tjerë. Presion i qartë ndaj minatorëve të Bulqizës që të mos guxojnë të kërkojnë të drejtat e tyre. Kompania ka thirrur edhe disa themelues të tjerë të sindikatës për t’ju komunikuar masa disiplinore të pabaza si paralajmërim për shkarkim nga puna.

Fakti që kompania dhe faktorë të tjerë, po sulmojnë ashpër dhe paligjshëm sindikatën tonë, dëshmon se ne jemi në rrugën e duhur dhe përfaqësuesit e vetëm të të drejtave të minatorëve.”-, thuhet në njoftim.

Përfaqësuesit e sindikatës thonë se do t’i rezitojnë këtij presioni me të cilin po përballen: “Kompania ka ditë që po bën presion ndaj punëtorëve që të mos shkëputen nga sindikata e vjetër, pasi kjo do t’u kushtonte shumë. Por, NE, do t’i rezitojmë presioneve të tyre! Puna jonë është e rëndë dhe e vështirë. Madje e rrezikshme. Mjafton t’ju kujtojmë faktin se në galeritë e kromit në Bulqizë, gjatë viteve të fundit kanë humbur jetën dhjetra minatorë.

Për të tillë veprime, ne nuk do të qëndrojmë duarkryq. Përkundrazi, ne do të luftojmë dhëmbë për dhëmbë për mbrojtjen e të drejtave tona që na i garanton ligji, Kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare.”

Lidhur me rastin e shkarkimit të kryetarit Elton Debreshi, po ashtu SMBB thotë se do të ndjekë të gjithë hapat ligjorë.

“Boll më trajtimin skllavëror që po na bëhet prej vitesh! NE JEMI MË TË BASHKUAR SE KURRË!”- thonë ata.

Masat që dëmtojnë me qëllim punëtorët sindikalistë:

– Ulje në detyrë;
– Marrje e masave disiplinore;
– Transferim në një ndërmarrje tjetër;
– Tërheqje vërejtje;
– Mos-njohje e mungesave të justifikuara me raport të rregullt;
– Paralajmërim për pushim nga puna;
– Pushim nga puna;
– Masa të tjera të çdo lloji kundër punëtorëve sindikalistë. /Hashtag.al

Elton Debreshi


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *