Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione kundër ministrit të Komunikimeve të Iranit, Mohammad Javad Azari Jahromi, për shkak të rolit të tij në “censurën e internetit” gjatë protestave kundër rritjes së çmimit të karburantit në Iran.
“Po e sanksionojmë ministrin e Komunikimeve për kufizimin e qasjes në Internet, përfshirë edhe aplikacionet e mesazheve, që kanë ndihmuar dhjetëra-miliona iranianë të mbeten në lidhje me njëri-tjetrin”, tha sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin.
Bllokimi i internetit, e bëri të vështirë për protestuesit të postojnë video në mediat sociale për të gjeneruar mbështetje dhe gjithashtu për të marrë raporte të besueshme për shtrirjen dhe përshkallëzimin e protestave.
SHBA dyshon se interneti është bllokuar me qëllim që protestuesit të mos transmetojnë dot dhunën dhe abuzimet e autoriteteve ndaj tyre.
“Udhëheqësit e Iranit e dinë se një internet falas dhe i hapur ekspozon paligjshmërinë e tyre, kështu që ata kërkojnë të censurojnë qasjen në internet për të shuar protestat kundër regjimit”– tha Mnuchin, citon Reuters.
Protestat në Iran shpërthyen më 15 nëntor, pasi çmimi i naftës u rrit rreth 200 për qind. Zyrtarët konfirmuan pesë të vdekur në protesta, por organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International, tha se mbi 100 protestues besohet se janë vrarë, pasi autoritetet kanë përdorur municione kundër tyre.
Shërbimet e Internetit në Iran kanë qenë të bllokuara edhe të premten, për të gjashtën ditë me radhë.
Sanksionet e vendosura nga SHBA-ja do të ngrijnë të gjitha asetet financiare dhe pronat që Azari Jahromi ka në SHBA.