Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, thotë se është maqedonasi i parë që po lufton për të drejtat e shqiptarëve.
Në një intervistë për televizionin A2, Zaev tha se për këtë ka humbur një pjesë të votave nga elektorati maqedonas.
“Jam maqedonasi i parë që lufton hapur për shqiptarët, kam shenja në fytyrë për këtë, por jam krenar. Kam humbur disa vota maqedonase, por kjo është e ardhmja e këtij vendi multietnik”, thotë Zaev, citon Tetova Sot.
Kryeministri Zaev thotë se ajo çfarë e diferencon nga qeveritë e mëparshme është pikërisht fakti se të gjithëtrajtohen në mënyrë të barabartë.
“Janë kryer shumë ndërhyrje në infrastrukturë, pa pyetur kush jeton aty, çfarë besimi kanë. Kjo ndodh për herë të parë në Maqedoninë e Veriut. Kur i pyesni shqiptarët ata thonë qartë se e duam këtë vend, por tani e ndjejmë se edhe vendi na do ne. Pse ndodh kjo? Sepse të gjithë trajtohen si të barabartë”– thotë ai.
Madje Zaev beson se tashmë në sondazhet që i përkasin pjesës shqiptare, ai rezulton më mirë se liderët e partive politike shqiptare me të cilët bashkëpunon, si Ali Ahmeti, Zijadin Cela, Bilal Kasami, Afrim Gashi.